Tritol makinës së Prokurorit/ Shpërthimi në parkingun e një qendre tregtare në Tiranë, nuk ka të lënduar

12/03/2021 01:01

Një shpërthim me tritol tronditi Tiranën mbrëmjen e së enjtes në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Lënda plasëse ishte vendosur në mjetin e prokurorit Arjan Muça, i cili ishte i parkuar në një qendër tregtare, por fatmirësisht nuk pati të lënduar.

Arjan Muça është i komanduar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë si inspektor. Ndërsa më herët ka qenë oficer tek ish Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ish prokuror në Gjirokastër. Ndërkohë bashkëshortja e tij, Gentiana Muça është gjyqtare në Apelin Administrativ, ndaj një dyshim është se shpërthimi mund të ketë qenë edhe ndaj saj.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj i tha gazetarëve se mjeti ka dëmtime në pjesën e përparme. Kakina përdoret nga prokurori dhe aktualisht prej një periudhë dy vjeçare parkohet pranë kësaj qendre tregtare. “Janë marrë masa nga policia për dokumentimin e kësaj vepre penale. Nuk ka të lënduar dhe dëmtime të mjeteve të tjera. Shpërthimi ka ndodhur në pjesën e parakolpit të makinës.

Nuk ka pasur asnjë person afër dhe grupi hetimor po merret me pamjet dhe veprimet hetimore”, tha Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj. Ndërkohë shërbimet e Policisë ushtruan kontrolle ne zonë si dhe u ngritën pika kontrolli në Tiranë, ndërkohë që hetimit pritet ta ndihmojnë pamjet e kamerave të sigurisë në garazhin e qendrës tregtare dhe rreth saj.

Top Channel