“Sulmi lidhet me detyrën”/ Tritoli në makinë. Zbardhet dëshmia e prokurorit Arjan Muça, merret në mbrojtje familja

12/03/2021 09:40

Një shpërthim me tritol i vendosur në makinën e prokurorit Arjan Muça tronditi Tiranën mbrëmjen e së enjtes në zonën e Komunës së Parisit në Tiranë. Nga lënda plasëse vendosur në mjetin e prokurorit Arjan Muça, i cili ishte i parkuar në një qendër tregtare, fatmirësisht nuk pati të lënduar.

Ndërkohë që pas ngjarjes Policia e Tiranës ka marrë në pyetje prokurorin, familja e të cilit pas ngjarje është marrë në mbrojtje.

Ai ka thënë se mjetin “Benz” me targë AA102ET, , e ka në pronësi të tij dhe prej me shumë se 2 vitesh e parkon në katin e 2 të nëndheshëm në qendrën tregtare të komunës së Parisit. Prokurori 50 vjeçar ka thënë se nuk ka asnjë konflikt dhe se ky sulm lidhet vetëm me detyrën e tij si prokuror pranë Këshillit të lartë të Prokurorisë.

Nisur nga deklarimet e tij policia e ka referuar çështjen për shkak të detyres dhe po heton në ketë drejtim.

Arjan Muça është i komanduar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë si inspektor. Ndërsa më herët ka qenë oficer tek ish Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe ish prokuror në Gjirokastër. Ndërkohë bashkëshortja e tij, Gentiana Muça është gjyqtare në Apelin Administrativ, ndaj një dyshim është se shpërthimi mund të ketë qenë edhe ndaj saj.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj i tha gazetarëve se mjeti ka dëmtime në pjesën e përparme. makina përdoret nga prokurori dhe aktualisht prej një periudhë dy vjeçare parkohet pranë kësaj qendre tregtare. “Janë marrë masa nga policia për dokumentimin e kësaj vepre penale.
Nuk ka të lënduar dhe dëmtime të mjeteve të tjera. Shpërthimi ka ndodhur në pjesën e parakolpit të makinës.

Nuk ka pasur asnjë person afër dhe grupi hetimor po merret me pamjet dhe veprimet hetimore”, tha Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj.
Ndërkohë shërbimet e Policisë ushtruan kontrolle ne zonë si dhe u ngritën pika kontrolli në Tiranë, ndërkohë që hetimit pritet ta ndihmojnë pamjet e kamerave të sigurisë në garazhin e qendrës tregtare dhe rreth saj.

FOTO GALERI
1/17

Top Channel