1682 drejtues mjetesh janë gjobitur në të gjithë Shqipërinë, pasi janë kapur në shkelje të rënda me rregullat e qarkullimit rrugor.

Policia rrugore njofton se janë arrestuar 4 qytetarë që drejtonin mjetet në gjendje të dehur dhe për të njëjtën arsye janë pezulluar 9 leje drejtime. 21 patenta të tjera janë pezulluar pasi shoferët janë evidentuar tej normave të shpejtësisë në rrugë.

Njoftimi i policisë:

Monitorimi i qarkullimit të automjeteve, nga Policia Rrugore, duke përdorur mjete të pauniformuara, kamera radarë e alkool testues, çon në evidentimin dhe ndëshkimin me masë administrative të 1682 drejtuesve të automjeteve, për shkelje të rënda rrugore, të cilat janë burim potencial për shkaktimin e aksidenteve rrugore.

Vijojnë kontrollet masive në të gjithë vendin, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional “ROADPOL MARS 2021”, për rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Njësia Operacionale e Drejtorisë së Policisë Rrugore, në bashkëpunim me Sektorët e Policisë Rrugore në 12 Drejtoritë Vendore të Policisë, duke përdorur mjetet e pauniformuara, kamera të vendosura në automjete, radarë, alkooltestues dhe dronë, po vijon kontrollet në lëvizje në akset rrugore kombëtare dhe rrugë të tjera të evidentuara si njolla të zeza për shkak të ngjarjeve rrugore me pasoja të ndodhura më parë.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë konstatuar dhe:

Janë arrestuar në kushtet e flagrancës 4 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur;

Janë pezulluar 30 leje drejtimi, nga të cilat 21 për shpejtësi mbi normat e lejuara dhe 9 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit.

Gjithashtu janë vendosur 1682 masa administrative, të ndara si më poshtë:

383 masa administrative për parakalime të gabuara.

266 masa për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit.

123 masa për shpejtësi mbi normat e lejuara.

176 masa për mospërdorimin e rripit të sigurimit.

102 masa për mos vendosjen e kaskës mbrojtëse.

345 masa për parkim dhe qëndrim të gabuar.

287 masa për shkelje të tjera të përcaktuara në Kodin Rrugor të Republikës së Shqipërisë.

Top Channel