“Nuk do ishte e mundur pa ambasadoren Kim”/ Marrëveshja me SHBA, Rama: Sot nis epoka e artë e gazit për Shqipërinë!

12/03/2021 18:09

Këtë të premte u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit midis Shqipërisë e SHBA, përmes Ministrisë së Infrastrukturës e Energjisë dhe Exxon Mobil & Excelerate Energy, për futjen e gazit të lëngshëm natyror nga Amerika (LNG) në Shqipëri.

Një projekt ky, i cili përfshin konvertimin e TEC-it të Vlorës me LNG, ndërtimin e një terminali të ri gazifikimi dhe shpërndarjen e LNG, duke e shndërruar Vlorën në një HUB rajonal për gazin e lëngshëm.

Gjatë aktivitetit të mbajtur online, ishte i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, i cili u shpreh se ky është një projekt i së ardhmes. Rama vlerësoi si mjaft të rëndësishëm për ekonominë shqiptare këtë projekt të sjelljes së gazit të lëngshëm në TEC e Vlorës ndërsa tha se kjo nuk do të ishte e mundur pa mbështetjen e Yuri Kim.

Fjala e plotë e Kryeministrit Rama:

“Përshëndetje të gjithëve nga Tirana, kryeqyteti i tokës më proamerikane në këtë anë të botës!

Është shumë tërheqëse të jesh këtu, si në një takim miqësor mes Davidit dhe Golias, sepse të përballesh me një kompani që ka të ardhura 20 herë më të larta sesa PBB-ja jonë është mbresëlënëse vërtetë.

Megjithatë, falë Zotit jemi këtu për të qenë aleatë dhe jo për të luftuar njëri-tjetrin.
Kështu që është e shkëlqyer të kesh partner si ju.

Unë besoj fort që në këtë rrugëtim drejtë së ardhmes, ne të jemi në gjendje ta shndërrojmë Shqipërinë në një eksportuese të energjisë brenda 2030-ës e për këtë kemi qenë me fat të kemi partnerët më të mire, të pajisur me përvojën dhe me ekspertizën më të mirë, për të realizuar një projekt të kësaj përmase dhe të këtij kompleksiteti.

Zhvillimi i këtij projekti me lider të kësaj industrie si Exxon-i dhe bashkëpunimi me SHBA-në dhe Departamentin Amerikan të Energjisë, për ta bërë këtë projekt realitet, është një hap i rëndësishëm përpara për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ky është projekti i dytë madhor i nënshkruar vetëm këto pak muajt e fundit midis qeverisë sonë dhe partnerëve amerikanë, pas atij për ndëtimin e HEC-it më të madh në këto 50 vjet, atë të Skavicës.

Më duhet të them se asnjëra prej të dyjave nuk do të kishte qenë e mundur pa dikë që është diku në këtë takim, që padyshim është grua, sepse vetëm gratë e forta mund të bëjnë të mundur gjëra të tilla, që është ambasadorja amerikane. Ishte ajo që arriti ta shtynte një hap më tej këtë marrëdhënie, duke i dhënë një përmasë të jashtëzakonshme bashkëpunmimit ekonoimik dhe dua ta falenderoj atë shumë.

Gjithashtu dua të falenderoj gjithkënd tjetër që ka kontribuar për këtë projekt, të cilin besoj që do t’i japë një shtysë të pabesueshme moralit të vetë qytetarëve shqiptarë dhe të ekonomisë në vetvete, pasi duke transformuar Vlorën në një qendër për gazin e lëngshëm natyror dhe duke ja dalë që të vëmë në jete një nga investimet e së kaluarës që shumë sinqerisht ka qenë një dështim, është shumë e rëndësishme. 130 milionë dollarë u shpenzuan shumë keq. E dimë që për Exxon-in, këto janë qindarka, por për Shqipërinë, kjo është një vlerë e jashtëzakonshme. Konvertimi i termocentralit nga nafta në gaz dhe gjithashtu, vënia në funksionim e HEC-it është një hap i jashtëzakonshëm. Ashtu siç thuhet dhe nuk e di nëse e keni në Amerikë, por ne e kemi në shqip shprehjen “me një gur vrasim dy zogj”.

E meqë ra fjala, këto janë dy projekte tejet të rëndësishme në një marrëveshje.
Epoka e artë e gazit, e parashikuar nga Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë, po shfaqet mirëfilli sot. Mund të jetë veçanërisht e artë për këtë anë të botës, për rajonin e Ballkanit, ku unë besoj fort se kur të shkruhet historia e plotë e shekullit të 21-të, historianët do të reflektojnë mbi zanafillat e kësaj epoke të artë në rajon. Nuk është ndoshta një gjë kaq e madhe për një kompani të madhe sa Exxon Mobile, por sërish do të jetë e rëndësishme për emrin e Exxon Mobile që të jetë i pandashëm nga kjo histori e kësaj epoke të artë në këtë pjesë të botës, duke treguar jo vetëm fuqinë e vizionit, fuqinë e ekspertizës së Exxon Mobile, por edhe fuqinë mjaft të rëndësishme të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane.

Faleminderit shumë të gjithëve!

Nuk jam i lumtur që nuk jam atje në Huston, Teksas, por shpresoj që ky është vetëm fillimi dhe ndoshta gjëra të tjera do të dalin prej kësaj, sepse e di shumë mirë që Shqipëria ka një dobësi për ata që nuk e njohin Shqipërinë. Shqipëria nuk është një vend për të shkuar për ata që nuk e njohin, por për ata që vijnë nuk ka shans që të ndahen prej saj. Prandaj, jam i sigurt, miku im, që tashmë keni rënë në kurth dhe jam i bindur që e ardhmja do të japë shumë më tepër mundësi, shumë më tepër arsye për të qëndruar më gjatë në Shqipëri.
Faleminderit shumë të gjithëve!

Top Channel