Itali/ Vrau 27-vjeçarin shqiptar me tre plumba, identifikohet autori. Zbulohet arsyeja përse nisi sherri

12/03/2021 17:08

Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me vrasjen e 27 vjeçarit shqiptar Santino Xhyra në Bari të Italisë.

Ngjarja e rëndë ndodhi ditën e djeshme rreth orës 16:00 dhe autori i dyshuar është një 39 vjeçar me origjinë nga Shqipëria, i identifikuar si Shaban Fejza.

Pas deklaratave të dëshmitarëve okularë dhe fqinjëve të viktimës, u bë i mundur identifikimi dhe më pas arrestimi i Fejzës. Dyshohet se ngjarja ka ndodhur pas një debati për banesën në të cilën jetonte Xhyra me një tjetër person, shkruajnë mediat italiane.

Ata nuk kishin paguar qiranë për një kohë të gjatë dhe pronari kishte kërkuar ndërhyrjen e Fejzës, i cili i kishte garantuar se dy personat do të kryenin pagesën. Fillimisht patën një debat verbal që më pas u përshkallëzua me një shuplakë dhe viktima iu përgjigj me grusht.

Në atë moment, 39 vjeçari doli për të marrë armën dhe kur u kthye, hapi derën dhe qëlloi tre herë Xhyrën nga një distancë e afërt. Plumbat e prekën në gjoks dhe në bark, por plagët ishin të rënda dhe Xhyra ndërroi jetë rrugës për në spital.

Top Channel