Një gjykatë familjare në Britani ka vendosur se dy prindër dështuan të ndihmojnë fëmijët e tyre të prekur rëndë nga mbipesha, dhe se nuk e kuptonin shqetësimin e perseritur të shërbimeve sociale të rajonit të West Sussex.
Prandaj dy adoleshentët janë hequr nga kujdesi i familjes pas ankesës së shërbimeve sociale te gjykatësi. Gjykatësja Gillian Ellis tha se fëmijët do të dërgoheshin në kujdes familjar të përkohshëm, duke e përshkruar rastin si “shumë të trishtë e të pazakontë”.
Autoritetet lokale më herët kishin furnizuar familjen me pajisje për të ndihmuar në kujdesin trupor dhe kishin paguar për anëtarësinë e tyre në palestër.
Por pas disa muajsh procedurash pesha e fëmijëve nuk ishte reduktuar dhe familja nuk kishte përdorur mjetet e dhëna për kudesin ndaj peshës, dhe as nuk ishin paraqitur rregullisht në palestër.
Gjykatësja tha se prindërit nuk e kuptonin seriozitetin e çeshtjes së ngritur nga shërbimet sociale, prandaj fëmijët kishin nevojë të mësonin stile më të shëndetshme të jetesës.
“Të gjithë e pranojnë se ky është një rast i trishtë dhe i pazakontë, i një familjeje të kujdesur që plotëson shumë nga kushtet bazë për fëmijët, por autoritetet shqetësohen se ata nuk plotësojnë nevojat e tyre shëndetësore. Fëmijët janë në gjendje të rëndë mbipeshe dhe prindërit kanë treguar paaftësi për t’i ndihmuar në këtë situatë”.
Edhe në vitin 2012, një vajzë pesë-vjeçare në Britani u hoq nga kujdesi i prindërve pasi arriti peshën 66kg, tre herë sa pesha e shëndetshme e moshës së saj.
Shifrat e vitit 2014 tregojnë se 74 fëmijë obezë në Britani janë marrë nga prindërit e tyre prej autoriteteve, për t’u kujdesur për ta per një periudhë rreth pesë vjeçare.
Top Channel