Agjencia Evropiane e Ilaçeve i dha dritën jeshile vaksinës së kompanisë Johnson&Johnson kundër koronavirusit, e katërta e miratuar për përdorim në bllokun europian pas asaj të Pfizer dhe BioNTech, të AstraZeneca-s dhe Moderns.
Vendimi erdhi pavarësisht faktit se kompania ka njoftuar ligjvënësit e Bashkimit Evropian se vaksina nuk do të ketë mundësi të dërgohet deri në mesin e muajit prill. Vaksina e Johnson&Johnson është aprovuar tashmë në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada.
Fakti që ajo merret vetëm me një dozë dhe ruhet në temperatura frigoriferike normale, e bën mjaft të përshtatshme. Rezultatet e testimeve me rreth 44,000 pjesëmarrës kanë treguar se vaksina e kompanisë Johnson&Johnson, është 66 për qind efektive në parandalimin e Covid 19. Por ndërsa një tjetër vaksinë, ajo e AstraZenecas po përballet me probleme besimi të publikut për shkak të efekteve anësore të vëna re tek disa pacientë.
Janë shtruar pyetje edhe mbi sigurinë e Johnson&Johnson. Mësohet se një pjesë e personave të cilat kanë marrë këtë vaksinë janë ankuar për dhimbje koke, dhimbje në vendin ku është bërë injeksioni dhe simptoma të ngjashme me ato të gripit. Por vaksina në fjalë praktikisht ka pasur më pak raste alergjish krahasuar me Modernën dhe Pfizer e Biontech.
Top Channel