Studiuesit në Murcia kanë gjetur në tumat e grave objekte të çmuara luksi, që më vonë do të përdoreshin për luftëtarët elitarë.
Një kompleks i lashtë varrezash në Spanjë – i përshkruar nga arkeologët si nga më luksozët e kësaj epoke i zbuluar në Evropë – ka shtuar spekulimet se gratë kanë qenë udhëheqëset e shoqërisë së sofistikuar që lulëzonte në gadishullin Iberik, në vitet 1550 para erës sonë.
Prej vitit 2013, një grup prej dhjetra kërkuesish po hetojnë impjantin arkeologjik të La Almoloya, në rajonin jugor spanjoll Murcia.
Aty ka banuar më parë El Argar, një nga shoqërite e para njerëzore që përdorte bronzin, e cila ndërtoi qendra komplekse urbane dhe qeverisej me organizata të ngjashme me shtetin. Kjo ishte pjesë e territorit të tyre, që shtrihej deri në 35,000 km/katrorë.
Mes zbulimeve më të spikatura ishte ai i një burri dhe një gruaje të varrosur së bashku në një vazo të madhe qeramike, të cilët kishin vdekur në mesin e shekullit të 17 p.e.s.
Të varrosur bashkë me ta ishin 29 objekte shumë të çmueshme, të cilat thuaje të gjitha i përkisnin femrës, e cila besohet se ishte me moshë 25 deri në 30 vjeçe. “Është sikur gjithçka që ajo prekte kishte argjend në të,” tha Cristina Rihuete studiuese e Universitetit Autonom të Barcelonës.
Mes objekteve të punuara me delikatesë të femrës kishte byrzylykë, unaza dhe një kurorë të rrallë, të njohur si diadem. Në total ishin 230 gram argjend të gjetur në varr, që sipas studiuesve asokohe do të vlenin sa rroga e 900 ditëve pune.
Roli i lartë që gratë kanë luajtur asokohe në shoqëri jehon dhe në zbulime të tjera në El Argar; diadema të ngjashme janë gjetur në katër vendvarrosje të tjera femrash, të cilat më vonë janë përdorur për të dekoruar luftëtarët më të lartë të komuniteteve, duke sugjeruar statusin e lartë që ato mbanin.
Vendndodhja e zbulimit ishte poshtë asaj që mund të ishte ndërtesa e parë në formë pallati e Epokës së Bronzit. Studiuesit besojnë se kjo kishte qëllime politike, nga ku vinte dhe fuqia e gruas.
Burrat ishin luftëtarët e shoqërisë, çka sugjerohet nga shpatat e gjetura në vendvarrimet e tyre, tha studiuesi Roberto Risch. “Ata duket qartë që kontrollonin mjetet e dhunës dhe janë ndoshta arsyeja e zgjerimit të El Argar.”
Shoqëria ishte e organizuar me një elitë të pasur, që duket se mbahej me një sistem taksash ndaj popullates. “Në Evropën perëndimore nuk kishte asgjë si këto,” thotë Risch, duke argumentuar se në këtë kohë në pjesën tjetër të rajoneve jeta bëhej në komunitete të vetëmjaftueshme prej vetëm 50 deri në 100 njerëzish.
Por deri në shekulli e 15 p.e.s. vendbanimet e El Argar ishin braktisur, çka besohet se ka ndodhur prej kryengritjeve të brendshme.
“Pak pasi gruaja vdes, vendbanimi digjet dhe diçka e tillë nuk u pa më në gadishullin Iberik deri në ardhjen e grekëve apo fenikasve, si për nga arkitektura ashtu dhe nga dimensioni politik.”
Top Channel