Agjencia Evropiana e Barnave (EMA) ka miratuar përdorimin e vaksinës Johnson & Johnson brenda BE-së.
Vaksina J&J është e katërta që i është dhënë miratimi për përdorim në BE. J&J ndjek gjurmët e vaksinës gjermano-amerikane BioNTech-Pfizer, vaksinës Britaniko-Suedeze AstraZeneca dhe vaksinës Moderna të prodhuar nga SH.B.A.
Vaksina J&J, e zhvilluar nga kompania farmaceutike Janssen në pronësi të J&J dhe me qendër në Belgjikë, ndryshon nga vaksinat e tjera të aprovuara pasi kërkon vetëm një dozë. BE ka siguruar tashmë 400 milion doza të vaksinës.
Vaksina ka qenë nën rishikim nga rregullatori me bazë në Amsterdam që nga dhjetori i vitit 2020.
Evropa ende ka nevojë për më shumë vaksina
BE është kritikuar ashpër për trajtimin e përdorimit të vaksinave dhe për ngecjen pas vendeve si Izraeli, SH.B.A. dhe MB me shpërndarjen e vaksinave kundër koronavirusit. Sipas një faqeje në internet e drejtuar nga Universiteti i Oksfordit, BE kishte administruar rreth 43 milion doza deri të Martën. SH.B.A. kishte administruar rreth 93 milion doza.
Evropa gjithashtu po përjeton edhe infeksione të reja ndërsa përhapen variantet e reja të covid. Janë regjistruar 1 milion raste të reja COVID-19 javën e kaluar, një rritje prej 9%. Blloku Evropian gjithashtu ka qenë i zhytur në mosmarrëveshje me AstraZeneca rreth shpërndarjes së vaksinave. Kjo gjithashtu çoi në bllokimin e disa eksporteve të vaksinave nga BE.
Si funksionon vaksina J&J?
Provat globale klinike treguan se është 66% efektive në parandalimin e varianteve të ndryshme COVID-19 dhe 85% efektive në mbrojtjen e njerëzve nga zhvillimi i infeksioneve të rënda. Efikasiteti më i ulët shpjegohet pjesërisht me faktin se provat u kryen më vonë se vaksinat e tjera pasi variantet më agresive ishin bërë më dominuese.
Vaksina ndjek një qasje tradicionale të vaksinimit, duke përdorur një virus të zakonshëm të dobësuar për të futur proteinat e koronavirusit në trup dhe kështu të prodhojë imunitetin. Ndryshe nga vaksina BioNTech-Pfizer, ajo nuk ka nevojë të mbahet në temperatura shumë të ulëta.
Top Channel