Rama jep lajmin e mirë: Pasnesër mbërrijnë 38.400 dozat e para nga AstraZeneca, nisim vaksinimin e mësuesve

10/03/2021 18:33

Ditën e premte do të mbërrijnë 38.400 dozat e para të vaksinë AstraZeneca.

Lajmin e mirë e ka dhënë Kryeministri, Edi Rama, i cili përmes një postimi në “Facebook” thekson se me ardhjen e vaksinave do të nisë menjëherë vaksinimi i mësuesve.
“LAJM I MIRË. Pasnesër mbërrijnë 38 400 DOZAT E PARA TË VAKSINËS ASTRAZENECA dhe nisim menjëherë vaksinimin e mësuesve”, shkruan Kryeministri.

Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi sot se është drejt përfundimit vaksinimi i stafeve mjekësore në të gjithë vendin.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme janë kryer 702 vaksinime antiCovid dhe që nga fillimi i vaksinimit janë kryer 21,613 vaksinime, në radhët e bluzave të bardha dhe të moshuarve.

Po ashtu, gjatë 24 orëve të fundit janë kryer 3035 testime, nga të cilat kanë rezultuar pozitivë 631 qytetarë.

Në 24 orët e fundit janë shëruar 714 qytetarë, duke e çuar numrin e të shëruarve në 77,498 që nga fillimi i epidemisë.
Aktualisht në spitalet COVID në Tiranë dhe tre spitalet rajonale po trajtohen 649 pacientë, 43 në terapi intensive, nga të cilët 15 pacientë janë të intubuar. Me gjithë përpjekjet e stafit mjekësor, 17 qytetarë e kanë humbur betejën me COVID-19.

Top Channel