OBSH: Vaksina për Shqipërinë/ Mbërrijnë për disa javë që fushata e vaksinimit të vijojë

10/03/2021 15:15

Shefi i ri i zyrës së Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Tiranë, austriaku Dr Gerald Rockenschaub në këtë dalje të parë publike e vlerëson të stabilizuar situatën e Covid 19 në Shqipëri edhe pse i druan shtameve mutante që po qarkullojnë në Europë e që mund të kenë hyrë edhe në Shqipëri, të cilat mund ta përkeqësojnë edhe më situatën.

Dr Gerald Rockenschaub: Me masat e marra se fundmi në fushën e shëndetit publik, shohim një lloj stabilizimi të numrit të rasteve te diganoztikuara me këtë infeksion, një rënie të lehtë, por nuk mund të jemi të qetë, pasi ajo që po shohim është qarkullimi i shtameve mutante të virusit në një numër të madh vendesh të Europës dhe ne jemi të shqetësuar se ato mund të kenë ardhur edhe në Shqipëri.

I pyetur në lidhje me kapacitetet tona për të përballuar këtë situatë, Rockenschaub shikon problem ikjen e mjekëve të mirë dhe kthimin e besimit të qytetarëve në sistemin shëndetësor.

Dr Gerald Rockenschaub: Çështje kritike mbetet nevoja për të adresuar disa mungesa në  burimet njerëzore në sektorin shëndetësor pasi fatkeqësisht një numër mjekësh të mirëformuar dhe me eksperiencë të mirë  kanë shkuar të punojnë jashtë duke lënë disa boshllëqe pas. Ne mendojmë se qeveria ka filluar ta parandalojë këtë fenomen duke ndërmarrë disa hapa sic është rritja e pagës  me qëllim që mjekët të qëndrojnë në vendin e tyre  por ende mbetet për t’u bërë sic është përmirësimi dhe rritja e besimit në sistemin shëndetësor publik, i cili mbetet ende kritik.

Në lidhje me vaksinat të cilat deri më tani qeveria i ka siguruar direkt nga kompania Pfizer, Dr. Rockenschaub thekson se OBSH po përshpejton mbërritjen e një sasi AstraZeneca nga Covax.

Dr Gerald Rockenschaub: Ne po përshpejtojmë procedurën e ardhjes së dërgesës së parë të vaksinave në fare pak javë dhe presim disa qindra mijra doza ne sasi të ndara nga AstraZeneca deri në muajin Maj në mënyrë që fushtata e vaksnimit të vijojë. Por mendoj se shumë më tepër duhet bërë. Kemi nevojë për më shumë solidaritet ndërkombëtar, fuqizim të kapaciteteve prodhuese dhe fuqizim të kapaciteteve te vaksinimit këtu në Shqipëri.

Top Channel