Kosova kërcënon Spanjën/ “Nuk luajmë futboll pa flamur dhe pa himn”

10/03/2021 15:27

Federata e Futbollit të Kosovës paralajmëroi se nuk do të pranojë të luaj me ekipin e Spanjës më vonë gjatë këtij muaji, në një ndeshje të vlefshme për kualifikimet për Kupën e Botës, nëse nuk i lejohet shpalosja e flamurit dhe intonimi i himnit të Kosovës.

Paralajmërimi pasoi një njoftim në twitter të kombëtares së Spanjës e cila ju referua Kosovës si “territor”. Spanja është një nga pesë vendet e Bashkimit Evropian që nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës. Federata e Futbollit e Kosovës, tha në një komunikatë se qëndrimi i shtetit spanjoll ndaj pavarësisë së Kosovës “nuk mund ta ndryshojë dot historinë dhe realitetin”.

“Përpjekja e spanjollëve për ta minimizuar shtetësinë e Kosovës në ndeshjen e 31 marsit për kualifikimet e Botërorit “Katar 2022”, duke iu referuar Kosovës si territor, është e kotë dhe e padrejtë. Ata janë të vetëdijshëm se në këtë datë do të përballen me Kombëtaren e Kosovës, e cila do të paraqitet si çdo shtet tjetër”, thuhet në reagimin e federatës në të cilën theksohet se kriteret e UEFA-s e FIFA-s janë të ditura e të qarta.

“Kosova nuk do të bëjë asnjë lëshim – ne do të luajmë vetëm sipas kritereve dhe rregullave strikte të UEFA-s, me himn dhe flamur shtetëror, përndryshe ndeshja nuk do të zhvillohet”, thuhet në komunikatë. Ndeshja është planifikuar të mbahet më 31 mars në Sevilla të Spanjës. Federata e Futbollit të Kosovës tha se do të kërkojë ndërhyrjen e UEFA-s anëtare e së cilës Kosova është që nga viti 2016. Në UEFA, thanë m për Zërin e Amerikës se “ndeshja në fjalë hyn nën juridiksionin e FIFA-s dhe për këtë arsye rregullohet nga rregulloret e saj”.

Nuk ka pasur ndonjë koment deri tani nga FIFA dhe as Federata Spanjolle e Futbollit. Në fillim të dhjetorit të vitit të kaluar në shortin e hedhur për kualifikimet për Kampionatin Botëror të Futbollit “Qatar 2022”, ekipi i Kosovës është në një grup me Spanjën, Suedinë, Greqinë dhe Gjeorgjinë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA