Policia greke tha se një oficer ishte plagosur rëndë në kokë pasi përleshjet shpërthyen mbrëmjen e të martës në një protestë në të cilën morën pjesë rreth 5 mijë persona, në Athinë, kundër dhunës së policisë.
Dy oficerë të tjerë u lënduan po ashtu në protestën që erdhi pas zemërimit të shkaktuar nga një video në të cilën shihej një oficer që rrihte me shkop gome një person të dielën, gjatë një patrullimi në kuadër të respektimit të masave anticovid.
Një fotograf i AFP-së në vendngjarje, mbrëmjen e të martës, tha se përleshjet shpërthyen pasi një grup prej rreth 200 protestuesish të maskuar iu drejtuan një stacioni policie në Nea Smyrni, lagjen e qetë në jug të Athinës, ku edhe u regjistrua incidenti i të dielës. Koshat e mbeturinave u dogjën ndërsa demonstruesit qëlluan me gurë dhe koktejle molotov stacionin e policisë. Policia u përgjigj me gaz lotsjellës dhe me ujë me presion.
Protesta vjen pas muajsh zemërim në mediat greke dhe mes aktivistëve në lidhje me një numër rastesh të profilit të lartë të brutalitetit të policisë në protestat e studentëve dhe ato të majtistëve. Policia tha se oficeri i plagosur rëndë, që u pa të tërhiqej me forcë nga motoçikleta, edhe ishte rrahur nga protestuesit. Ai u dërgua në spital dhe agjencia e lajmeve ANA raportoi se ishte jashtë rrezikut për jetën. Dhjetë protestues ndërkohë janë arrestuar, bëri të ditur policia.
Top Channel