“Disa kandidatë mund të skualifikohen”/ Yuri Kim zbret në Elbasan: Detyrë e KQZ dhe prokurorisë që të bëjnë vettingun e tyre

10/03/2021 19:32

Ambasadorja amerikane ishte në qytetin e Elbasanit për të takuar të gjithë drejtuesit kryesorë të fushatës elektorale.

Ajo ka folur me drejtuesit e fushatës socialiste në këtë qark, Taulant Balla, më pas me drejtuesin e listës së demokratëve Gazmend Bardhi, me kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi, e cila kandidon në Elbasan, e më pas ka drekuar me kandidaten Rudina Hajdari.

Diplomatja tha se kishte zgjedhur Elbasanin sepse kishte dëgjuar më parë për shitblerje të votave por edhe sepse Elbasani ishte një nga qarqet më të nxehta politike.

“Në të shkuarën gara politike në qytetin e Elbasanit ka qenë shumë e rëndësishme ndaj ishte koha e duhur për të ardhur këtu dhe për ta parë situatë personalisht. Për të takuar liderët politik, por edhe të takoja njerëzit”.

Ambasadorja foli edhe për listat e kandidatëve. Ajo ju referua në fillim tre emrave të shpallur nga departamenti i shtetit si kërcënim për sigurinë e SHBA.

“ Disa persona mund të thonë Ky person është i përcaktuar nga SHBA, por nuk është i dënuar. Unë mendoj se njerëzit me logjikë të thjeshtë do ta kuptonin që ky është fakt që tregon pafajësi, por për shkak të boshllëqeve në ligjin shqiptar dhe nevojën për Reformën në Drejtësi. Kjo gjithashtu nuk ka lidhje Nëse SHBA pëlqen dikë apo jo, kjo ka lidhje përcaktimet që ka bërë sekretari amerikan i Shtetit në bazë të hulumtimeve nëse një person përbën kërcënim për SHBA. Ka ardhur koha që votuesit shqiptarë të gjykojnë nëse kjo përbën kërcënim edhe për ta. Janë 3 njerëz që sekretari i shtetit qe ka përcaktuar sekretari i Shtetit. Unë s’do ti përmend emrat e tyre, por mund ti gjeni”.

Sipas ambasadores shumë nga partitë kanë reflektuar por jo të gjitha dhe se KQZ do bërë verifikimet dhe kualifikimet.

“Për çështjen e listave qëndrimi i SHBA është shumë i qartë dhe ndoshta jo diplomatik, dhe partitë e kanë marrë në konsideratë, jo të gjitha, por pjesa më e madhe e tyre. Tashmë është detyrë e KQZ dhe e Prokurorëve që të bëjnë vetingun e kandidatëve. Mos u surprizoni nëse disa kandidatë do të skualifikohen. Këtu qëndron fuqia përfundimtare dhe fuqia përfundimtare janë votuesit”.

Mesazhi i fundit i ambasadores ishte për zgjedhësit.

“Kam dëgjuar që blerja e votës është problem në Elbasan dhe jo vetëm në Elbasan. Atyre që blejnë votua dua tu them: ‘Jeni duke shkelur ligjin. Dhe po turpëroni nderin tuaj. Ndërsa u drejtohem atyre që u kërkohet tu blihet vota: “Vota është pushteti juaj, mos e dorëzoni atë”.

Top Channel