Një oficer i policisë së Londrës është arrestuar sot nga autoritetet britanike si i dyshuar për vrasjen dhe pengmarrjen e 33 vjeçares Sarah Everard të zhdukur në Londër, në rastin që ka shokuar vendin.
Babai i dy fëmijëve 48 vjeçari Wayne Couzens, është arrestuar pasi 33-vjeçarja u zhduk në fundjavë teksa kthehej në shtëpi nga një vizitë te një shoqe në Clapham, në jugperëndim të Londrës.
Sarah Everard, drejtuese marketingu, duhej të kishte arritur në shtëpinë e saj në zonën Brixton rreth orës 22.00, por ajo nuk është parë më.
Dje autoritetet kombëtare dhanë atë që quajtën njoftim “shokues e shumë trazues” se një oficer policie është arrestuar për zhdukjen e Sarah.
E përditshmja britanike “The Sun” shkruante sot se Wayne Couzens, oficer i armatosur i mbrojtjes diplomatike pranë parlamentit në Westminster, u arrestua në shtëpinë e tij në Kent.
Policia e Londrës konfirmoi se oficeri ishte arrestuar si i dyshuar për vrasje dhe pengmarrje.
Fqinji i te ndaluarit David Ladd, 48 vjeç, tha se kishte parë Couzens që futej i prangosur në makinën e policisë.
Policia tashmë po kontrollon imtësisht shtëpinë e tij në Kent në lindje të Londrës.
Një grua në të 30-at e besuar se është partnerja e policit, gjithashtu është arrestuar si e dyshuar për asistencë në krim.
Komisioneri i policisë Nick Ephgrave tha se arrestimi ishte një “zhvillim serioz e domethënës”.
Ndërkohë policia publikoi dje foto të vajzës së zhdukur Sarah duke shpresuar se dikush me informacion do të bëjë përpara.
Në një prej fotove shihet Sarah me pallton që mbante natën kur u zhduk.
Prindërit e Sarah erdhën dje nga shtëpia e tyre në York për të ndihmuar me kërkimet.
Familja e vajzës thotë se dyshon se ajo mund të jetë ndaluar nga “njerëz të këqinj” dhe thote se nuk e njihnin të arrestuarin.
Perditesime te hetimeve priten se shpejti.
Top Channel