Zëvendëskryetari i FRPD dorëzon dorëheqjen tek Basha: Mendoja se të rinjtë më të spikatur do kalonin në skenën politike

09/03/2021 17:18

Lisandër Hoxha, zëvendëskryetari i FRPD, gjithashtu anëtar i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike ka vendosur të japë dorëheqjen nga këto funksione.

Në letrën e tij, shprehet se dorëheqja duhet të shërbejë si revoltë ndaj padrejtësive që u bëhen të rinjve, për të cilët thotë se meritojnë vlerësim dhe mirënjohje. Arsyeja për këtë vendim vjen nga fakti se nuk janë përfaqësuar të rinjtë.

“E kryej këtë akt i bindur se demokracia funksionon mbi bazën e parimeve dhe vlerave që na mbajnë bashkë në shoqëri dhe parti politike. Prej kohësh kam mbajtur qëndrime publike mbi rolin e Komisionit “Marku-Ruli” sa i takon transparencës së punës së tyre në raport me pritshmërinë e demokratëve.

Kam shprehur bindjen time se përtej qëllimeve, ndoshta pozitive të kësaj nisme, rezultati nuk ishte ai që kishim menduar. Në procesin e punës së tyre, figura të spikatura të PD nga Tropoja në Sarandë, u përballën me një fenomen zhvlerësues aspak të nevojshëm vetëm 6 muaj para zgjedhjeve të 25 Prillit. Paqartësia e kësaj nisme dhe produkti i saj duhet të ishte objekt analize dhe diskutimesh me organet më të larta të PDSH si Kryesia dhe Këshilli Kombëtar”, shkroi Hoxha.

Një tjetër arsye përse paraqiti dorëheqjen është fakti që nuk u respektuan ndryshimet statutore të prillit 2018 për t’i garantuar të rinjve rol përmes statutit me përfaqësim 5% në listat e kandidatëve për deputet dhe 10% në listat e këshillave vendor nëpërmjet konsultimit me FRPD.

“Përmes nenit 70, kryetar, kisha menduar se një pjesë e të rinjve tanë më të spikatur të FRPD duke e përjashtuar veten time, do e kishin mundësinë që të kalonin tranzicionin nga para politik në skenën politike. Këtë bindje e kisha krijuar duke patur parasysh se ne jemi partia e studentëve të dhjetorit, të cilët shporrën diktaturën më të egër të Europës me shpresën se do e bënin Shqipërinë një vend të zhvilluar”, thuhet në letrën e dorëheqjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA