Vaksinat e skemës COVAX/ Mbërrijnë edhe në Afganistan, tani nis imunizimi

09/03/2021 12:17

Afganistani mori dërgesën e parë të vaksinave kundër koronavirusit, përmes programit COVAX të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

OBSH-ja tha se dërgesa me 468,000 doza është pjesa e parë e afro 3 milionë dozave në total, që pritet t’i jepen falas Afganistanit. Sipas OBSH-së, vaksinat e para për këtë vend u siguruan nga Instituti Serum i AstraZeneca-s, me seli në Mumbai të Indisë.

Zyrtarët afganë të shëndetësisë thanë se programi COVAX, i cili ka për qëllim shpërndarjen e vaksinave edhe në vendet në zhvillim, do të sigurojë vaksina për të mbuluar 20 për qind të popullatës 38-milionëshe të Afganistanit. “Ne duhet t’i përshpejtojmë përpjekjet tona për të siguruar që të gjithë afganët e kualifikuar, vaksinohen dhe mbrohen nga COVID-19 [sëmundja që e shkakton koronavirusit”, tha ushtruesi i detyrës së ministrit afgan të Shëndetësisë, Wahid Majroh.

Vaksinimi në Afganistan nisi në fund të shkurtit, me një donacion të vaksinave nga India. Përfaqësues të COVAX-it thanë se Afganistani është vendi i parë në rajon që merr vaksina nga ky program. Afganistani besohet të jetë goditur rëndë nga pandemia gjatë vitit të kaluar, por testimi i kufizuar dhe kujdesi i dobët shëndetësor i kanë kufizuar kapacitetet e vendit për të ndjekur virusin. Zyrtarisht, Afganistani ka regjistruar vetëm 55,600 raste me koronavirus dhe rreth 2,430 vdekje.

Por, një sondazh i Ministrisë së Shëndetësisë, i realizuar në gusht të vitit të kaluar, ka vlerësuar se deri në 10 milionë njerëz – gati një e treta e popullsisë – mund të jenë infektuar me koronavirus.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA