Më shumë se 300 milionë doza të vaksinës anticovid janë administruar në më shumë se 100 vende të botës.
Sidoqoftë ka dallime të mëdha për sa i takon progresit në pjesë të ndryshme të botës. Disa vende, kanë siguruar dhe shpërndarë doza në një pjesë të madhe të popullatës së tyre por shumë vende të tjera vazhdojnë të presin që dozat e para të tyre të mbërrijnë.
Me qëllimin që ti jepen dozat thuajse çdo të rrituri në botë, ky është edhe programi më i madh i vaksinimit në histori. SHBA dhe kina kanë administruar shifrat më të larta të dozave, 90 dhe 52 milionë në mënyrë respektive. Britania e madhe renditet e treta me më shumë se 23 milionë vaksina. Por ndërsa pjesa dërrmuese e Evropës dhe kontinenteve amerikane kanë nisur fushatën, vetëm pak vende afrikane e kanë bërë këtë.
Shumë vende të varfra, presin dërgesat e Covax, skemës ndërkombëtare që po përpiqet të sigurojë vaksina për të gjithë në botë. Ghana u bë e para që mori vaksinat e këtij programi dhe Covax planifikon të shpërndajë rreth 2 miliardë vaksina në të gjithë globin deri në fund të vitit, por pjesa më e madhe e vaksinave duan dy doza për një person.
Vaksina e prodhuar nga Pfizer dhe BioNTech, është e para e miratuar nga OBSH dhe është ajo që po jepet në pjesën më të madhe të vendeve, por edhe disa vaksina të tjera janë miratuar tashmë. Pjesa më e madhe e qeverive kanë nisur me vaksinimin e mbi 60 vjeçarëve, punonjësve të shëndetësisë dhe personave klinikisht vulnerabël. Në vende si Izraeli dhe Britania e Madhe, ka shenja premtuese se vaksinat po reduktojnë shtrimet në spital dhe viktimat, si edhe transmetimet në komunitet. Në të gjithë botën më shumë se 200 vaksina kandidate vijojnë të testohen për efikasitetin dhe sigurinë.
Top Channel