Top Story/ Vdekja e mistershme e Kosta Trebickës, çfarë e detyroi të anulonte takimet e biznesit dhe të shkonte i vetëm për gjueti

09/03/2021 23:03

Kosta Trebicka ishte dëshmitari kyç që zbardhi trafikun e municioneve drejt Afganistanit dhe nxorri zbuluar pushtetarët e korruptuar. Papritur, ai u gjet i vdekur. Çuditërisht, grupi hetimor i fokuson veprimet vetëm në pistën e aksidentit, pavarësisht se ai ishte kërcënuar pas denoncimit të aferës së fishekëve. Shumë momente kanë mbetur të pasqaruara dhe lënë ende hije të forta dyshimi mbi atë që i ndodhi biznesmenit 50-vjeçar.

Ishte data 11 Shtator. Kosta Trebicka kishte drekuar në vilën e tij në rrugën “Tre Vëllezërit Kondi” në Tiranë. Rreth orës 15:20 minuta, del nga banesa me mjetin Nisan Patrol me Targa TR 8843 J siç konfirmon Genci Belba, roja i vilës.
Në Elbasan, 50-vjeçari bën një ndalesë pune. Destinacioni i tij ishte Leskoviku ku e priste një tjetër takim biznesi, siç ka dëshmuar bashkëshortja Brunela Trebicka.

“Me sa di unë ai do të shkonte në Leskovik për të takuar disa miq dhe do të dilte për gjueti. Rrugës ai ka ndaluar në qytetin e Elbasanit dhe ka qëndruar nja 2-3 orë. Ai është larguar vetëm me makinën e tij” u shpreh Brunela Trebicka, bashkëshortja e Kosta Trebickës
Rreth orës 19:30, ai qëndron për kafe në hotelin e mikut të tij Genci Sulejmani.

“Më tha se do shkonte në Leskovik se atje më presin dy shokë të mitë pa përmendur emrat e tyre si dhe nuk tregoi se nga ishin. Ai më tha se në
Leskovik do të shkonte për të parë një vend në mal ku ishte me gurë dekorativë dhe më pas ata do ti çonte në Greqi” u shpreh Genc Sulejmani, mik i Kosta Trebickës

Dëshmia e Sulejamint është mbështetur edhe nga Ervin Mici që ndodhej së bashku me ta. Nëse kryqëzon dëshmitë, kuptohet se qëllimi parësor i udhëtimit të Trebickës nuk ishte gjuetia, por takimet e biznesit.
“Në bisedë e sipër unë e kam pyetur që a do të dalësh për gjah, ai më tha jo. Më pas unë i thashë që zagarin pse e ke marë. Ai më tha që e mora se e nxjerr nga pak se në shtëpi e mbaj mbyllur. Me sa mësova, zagarit i thërriste me emrin Xhina” u shpreh Genc Sulejmani, mik i Kosta Trebickës

Sot e kësaj dite nuk dihet se cilët ishin personat që ai do takonte në Leskovik. Kurrë nuk u kuptua se kush ia ndryshoi planet Trebickës. Ai nuk shkoi në Leskovik por vijoi rrugën drejt Voskopojës. Në orën 21:30 minuta parkoi fuoristradën te hotel Akademia. Aty, ka kërkuar nga banakieri Joland Laloti një dhomë për të kaluar natën. Trebicka ishte mjaft i kujdesshëm në çdo hap. Në regjistrin e klientëve në hotel regjistrohet me emrin Artan.

“Ndoshta nuk ka dashur që të identifikohej për hir të idesë që ishte rreizkuar për hir të deklairmeve dhe nuk kishte pse linte gjurmë që jam filani, me sa di shkonte shgpesh gjuante dhe mbase ka qenë masë mbrojtëse që kudërshtarët, ata që mendonte se e kërcënonin mos dinin se frekuentonte këtë vend” u shpreh Shkëlqim Hajdari, Ish-kryeprokuror i Apelit Tiranë

“Sigurisht që i futur në një lojë kaq të madhe kishte frikë, ndjente frikë” u shpreh gazetari, Ferdinand Dervishi

Pasi konsumoi darkën në restorantin e hotelit, Trebicka iu drejtua dhomës me numër 107 ku kaloi natën. Në telefonatën që pati me bashkëshorten, ai i tha se herët në mëngjes do të nisej për gjueti. Stafi i hotelit ka konfirmuar se Kosta ishte i vetëm në dhomë.
Në kqyrjen e dhomës 107 nga prokurorët, nuk u zbulua asgjë e dyshimtë, veç disa sendeve personale të Trebickës. Nuk kishte as një gjurmë të ndonjë tentativë për tu futur me forcë në dhomë nga dikush. Është pikërisht kjo dhomë ku ka qëndruar Trebicka, natën e fundit të jetës së tij.
Në orën 05:30 të datës 12 Shtator, roja i hotelit Jorgo Çelniku ka parë fuoristradën e Kostës të dalë nga parkimi. Në orën 06:30 minuta, Xhipi i kuq, model kabriole, është parë nga Mentor Islami në vendin e quajtur “Repertitori” në zonat e thella të Lekasit.

Emisioni i plotë:

Top Channel