Në Katar këtë të hënë nisi turneu i volejbollit të plazhit në Doha që është një prej ndalesave të FIVB World Tour.
Në prag të startit të eventin në vend shpërthyen polemikat për shkak të uniformave bikini të volejbollisteve pjesëmarrëse, polemika që organizatorët e turneut i konsideruan si një propagandë.
Së fundmi disa lojtare kritikuan Katarin pasi Federata Ndërkombëtare e Volejbollit modifikoi kodin e veshjes duke u kërkuar volejbollisteve veshjen e bluzave me mëngë të shkurtra dhe pantallona të shkurtra deri në gju. Dy sportistet gjermane Karla Borger dhe Julia Sude deklaruan se nuk do të merrnin pjesë në ndalesën e vendit konservator mysliman për shkak se u ndalohet përdorimi i uniformave bikini.
Por nga drejtuesit e Federatës Ndërkombëtare të Volejbollit u tha se organizatorët e ndalesës së Katarit dhanë sigurinë se lojtaret nuk do të pengoheshin të vishnin uniformat standarde të tyre. Sipas koordinatorit të përgjithshëm të turneut Mohamed Salem Al Kuwari, u diskutua me FIVB për mundësinë që volejbollistet të vishnin bluza me mëngë dhe pantallona të shkurtra strece për mbrëmjet kur moti do të ishte më i freskët.
Ai shtoi se nuk ka pasur kufizime përsa i përket kodit të veshjes në volejbollin e plazhit as në ANOC World Beach Games të 2019 që u mbajtën në Katar dhe se disa media bënë propagandë për këtë çështje për qëllime të tjera. Ai shtoi se askush nuk u detyrua të veprojë kundër rregullave të FIVB.
Top Channel