Një pjesë e një meteoriti të rrallë që ndriçoi qiellin e natës mbi Britaninë e Madhe dhe Evropën veriore javën e kaluar, është gjetur në një autostradë në Gloucestershire.
Fragmenti që peshon rreth 300 gramë, dhe pjesë të tjera të shkëmbit hapësinor, u lokalizuan pasi shkencëtarët rindërtuan rrugën e ndjekur nga topi i zjarrit që lëshoi edhe një gjëmim sonik ndërsa përzhitej në atmosferën e tokës, pak para orës 22 të mbrëmjes në Britani, të dielën e 28 shkurtit.
Shkëmbi i zi, një kondrit karbonik, nuk ishte parë kurrë në Britaninë e Madhe dhe u gjet në një rrugë në qytezën Cotswolds, në Winchcombe. Fragmente të tjera sipas shkencëtarëve u gjetën në afërsi. Ashley Green, një shkencëtar i muzeut të historisë së natyrës në Londër, tha se kjo ishte një ëndërr e bërë realitet për të, pasi ishte bërë një nga njerëzit e parë që shohin dhe studiojnë një meteorit që është gjetur thuajse menjëherë pas rënies. Imazhe të meteoritit të fiksuara nga publiku dhe një rrjet kamerash i menaxhuar nga muzeu, ndihmuan kërkuesit të përllogarisnin se meteori e kishte kaluar pjesën më të madhe të orbitës së tij mes marsit dhe Jupiterit para se ai të tërhiqej nga atmosfera e tokës. Modelimi në kompjuter më pas tregoi se pjesët e mbijetuara të meteorit do të binin poshtë si meteoritë në veri të Cheltenhamit, por me shkëmbin që udhëtonte me një shpejtësi prej mbi 48 mijë km në orë, vendi i saktë i rënies ishte i vështirë të parashikohej. Ky është meteoriti i parë që zbulohet në Britaninë e Madhe në 30 vite dhe i pari kondrit karbonik i gjetur në vend deri më sot. Nga rreth 65 mijë meteoritë të njohur në tokë, vetëm 51 prej tyre kanë këtë përbërje. Ata konsiderohen më primitivët dhe materialet më të pastra në sistemin diellor
Top Channel