Maqedonia e V. regjistron 22 viktima dhe 872 të infektuar me koronavirus

09/03/2021 22:04

Maqedonia e Veriut të martën ka regjistruar 22 të vdekur dhe 872 të infektuar me koronavirus, shifra këto më të lartat në tre muajt e fundit, bazuar në të dhënat e Institutit të Shëndetit Publik në Shkup.

Viktimat janë, nëntë në Shkup, katër në Prilen, dy në Gjevgjeli dhe nga një në Tetovë, Veles, Ohër, Kërçovë, Kocani, Dellçevë dhe Strumicë.

Numri më i madh i të infektuarve është regjistruar në Shkup gjithsej 459 persona, ndërsa rastet e tjera në 32 qytete të ndryshme të vendit.

Të shëruar janë evidentuar 412 persona nga analizat e bëra pas testimit të 3,394 mostrave në laboratorët e Maqedonisë së Veriut.

Për shkak të rritjes së rasteve me sëmundjen COIVD-19, që shkakton koronavirusi, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka miratuar propozimin e Komisionit të Sëmundjeve Infektive për ndalimin e lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri në orën 06:00.

Vendimi hyn në fuqi nga dita e mërkurë dhe do të zgjasë dy javë, por masa mund të zgjasë apo edhe të ndryshojë varësisht gjendjes epidemiologjike.

“Ne kemi parasysh se në prill nis edhe Muaji i Ramazanit, por kemi edhe festa tjera, prandaj vlerësoj se vendimi ka rol parandalues. Do të veprojmë varësisht gjendjen që do të kemi. Kemi miratuar edhe masën e karantinës së detyrueshme për qytetarët tanë që kthehen nga Afrika”, ka deklaruar kryeministri maqedonas Zoran Zaev.

Të mërkurën nis vaksinimi i personave të moshuar dhe të sëmurëve kronikë me 3.000 dozat e vaksinës ruse Sputnik V, që arritën të dielën nga Rusia.

Institucionet shëndetësore presin që deri në fund të muajit të arrijnë edhe 20 mijë vaksinat e para kineze nga rreth 200 mijë sa janë porositur, por edhe dozat e para nga prodhues tjerë të vaksinave përfshirë edhe kompaninë amerikane Pfizer.

Top Channel