Gjykata Kushtetuese pranon kërkesën e Murrizit dhe Patozit: Të shikojmë sa do t’i mbrojë renditja sipas lëpirjes ndaj kryetarit

09/03/2021 16:43
Kreu i LDSH-së, Myslim Murrizi

Gjykata Kushtetuese ka pranuar që të shqyrtojë në seancë publike kërkesën e partisë LDSH, me kryetar Myslim Murrizin dhe BD, me kryetar Astrit Patozin për shfuqizimin e nenit 21 të Kodit Zgjedhor të ndryshuar në vitin 2020 pas marrëveshjes për Reformën Zgjedhore.

Këtë e ka bërë të ditur kreu i LDSH, Myslim Murrizi, i cili thotë se është pranuar shqyrtimi i kërkesës për “lista të hapura pa herësin e Ramës dhe të Bashës të futur në Kodin Zgjedhor nëpërmjet Damian-Oerdit”.

Në kërkesën e tij, Murrizi pretendon që vota e qytetarëve të vlerësohet e barabartë sipas Kushtetutës, jo asaj që e cilëson “pazari Rama-Basha”. Pretendimi i tij është që mandatin ta marrë personi që merr një votë më shumë, pavarësisht renditjes. Ndërsa Gjykata Kushtetuese ka lënë afat deri më 22 mars për të dorëzuar parashtrimet me shkrim për argumente shtesë në lidhje me kërkesën.

“Gjykata Kushtetuese ka pranuar te shqyrtoj ne seance plenare publike kerkesen e Partise Levizja Demokratike Shqiptare dhe Partise Bindja Demokratike per LISTA TE HAPURA PA HERESIN E RAMES DHE BASHES te futur ne Kodin Zgjedhor nepermjet Damian-Oerdit

Partia Levizja Demokratike Shqiptare i ka te HAPURA listat e SAJ ne 12 QARQE

KUSH MER 1 VOTE ME SHUME , AI OSE AJO MER MANDATIN PAMVARESISHT RENDITJES

Pershendes kete vendim te Gjykates Kushtetuese dhe besoj qe e DREJTA e VOTES SE QYTETAREVE do te vleresohet e BARABARTE sipas Kushtetutes dhe jo sipas pazarit Rama-Basha

Te shikojme se sa vota do marin vemjet, servilet,hajdutet dhe ish hajdutet e administrates qe kane menduar se do ti mbroje renditja sipas lepirjes ndaj kryetarit”, shkroi Murrizi në Facebook.

Kërkesa e Murrizit për nenin 21 të ligjit 118/2020 në Kodin Zgjedhor, ku thuhet:

Shpërndarja e mandateve për kandidatët fitues të listës

1. Menjëherë pas përfundimit të llogaritjes së rezultatit, sipas nenit 162 të këtij Kodi, KQZ-ja përllogarit shpërndarjen e mandateve për kandidatët fitues për secilin subjekt.

2. Shpërndarja e mandateve fillon me rend zbritës, në bazë të renditjes së tyre në listën e dorëzuar sipas nenit 67 të këtij Kodi, duke filluar nga numri rendor një, si dhe numrit të votës parapëlqyese të secilit kandidat bazuar në procedurat dhe kriteret vijuese.

3. Në fillim përfitojnë mandat kandidatët që kanë marrë një numër votash parapëlqyese më të madh se herësi që del nga pjesëtimi i numrit të votave të subjektit me numrin e mandateve të fituara nga subjekti, sipas nenit 162 të këtij Kodi. Në çdo rast, herësi nuk mund të jetë më shumë se 10 000 vota. Në rast se herësi që përftohet nga pjesëtimi është një numër me mbetje dhjetore, si herës merret numri i plotë më i afërt.

4. Kandidatët me numrin më të lartë të votave parapëlqyese se herësi, sipas pikës 3 të këtij neni, zëvendësojnë me radhë kandidatët në listë, që mund të kishin përfituar mandate, të cilët kanë numrin më të vogël të votave parapëlqyese.

5. Ky rregull nuk zbatohet nëse kandidati me më pak vota i përket gjinisë më pak të përfaqësuar. Në këtë rast zëvendësimi kalon te kandidati tjetër i renditur menjëherë më lart me numër votash deri në shterimin e listës sipas të njëjtave kritere. Kur kandidati me numër më të madh votash se herësi i përket të njëjtës gjini, zbatohen parashikimet e pikës 4 të këtij neni.

6. Pas shterimit të zëvendësimit të kandidatëve sipas pikës 3 dhe 4 të këtij neni, shpërndarja e mandateve vijon me kandidatët e mbetur sipas numrit rendor të listës.

7. Kandidatët e mbetur të listës, që nuk përfitojnë mandate sipas pikave 2 deri 6 të këtij neni, rirenditen në bazë të numrit të votave parapëlqyese duke filluar nga numri më i lartë i votave. Kur numri i votave është i barabartë, renditja përcaktohet me short. Rirenditja sipas kësaj pike përdoret në zbatimin e nenit 164 të këtij Kodi.

8. Përllogaritja dhe shpërndarja e mandateve, sipas nenit 162 dhe këtij neni, për çdo zonë zgjedhore miratohet me vendim. Vendimi nxirret për çdo zonë zgjedhore më vete. Ndaj vendimit mund të bëhet ankim administrativ në KAS.”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA