Vjedhje, përndjekje, në timon me gjendje të dehur/ 5 të arrestuar në Tiranë

08/03/2021 09:32
Ilustrim

Forca e posaçme “Shqiponjat”, në zbatim të Planit të Masave për rritjen e parametrave të sigurisë, parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë, si dhe evidentimin e personave që lëvizin me sende të kundërligjshme, në rrugën “5 maji”, ka konstatuar dhe ndaluar shtetasin A. P.

Gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj tij, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë të ftohtë (thikë), një sasi me lëndë të dyshuar MDMA, një sasi me lëndë të dyshuar metadon dhe 2 aparate celular.

Në përfundim të veprimeve, nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. P., 30 vjeç, banues në Tiranë.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Xh. P., 30 vjeç, sepse më datë 06.03.2021, në rrugën ‘’Naim Frashëri” ka vjedhur biçikletën e shtetasit E. B;

M. Ll., 34 vjeç, pasi për një periudhe kohore, ka përndjekur ish të dashurën e tij.

Specialistët e Qarkullimit Rrugor bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve:

S. Z., 59 vjeç dhe A. A., 45 vjeç, pasi u kapën në flagrancë duke drejtuar mjetet përkatëse në gjendje të dehur.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Top Channel