I dha fund jetës duke u hedhur nga spitali Covid 2/ Nëna rrëfen dhimbjen: Jetoj ende me gënjeshtrën se do të kthehet…

08/03/2021 17:53

Stilistja e njohur, Lira Koça ka folur për dhimbjen që ndjen për humbjen e djalit të saj Xhino, i cili i dha fund jetës duke u hedhur nga spitali “Shefqet Ndroqi”, ku po trajtohej nga Covid-19.

Në emisionin “Ftesë në 5”, ka rrëfyer me lot në sy se djali i saj ishte shumë i paqtë, ndërsa rikujton mesazhet e fundit dhe tregoi se si jeton me gënjeshtrën se një ditë Xhino do të kthehet.

“Xhino ishte i paqtë si pëllumbat, si natyra, i donte jashtë mase kafshët. Mëngjesin e 26 nëntorit u larguam nga Durrësi prej tërmetit, dhe shkuam në Berat në një hotel. Çdo mëngjes që kemi ndejtur në Berat, dhe kthehej në Durrës për të ushqyer kafshët. Se thoshte që njerëzit nuk kanë bukë për vete tani, dhe prandaj shkonte në punë gjithmonë në këmbë që të ushqente qentë e rrugës.

Mesazhet e fundit me Xhinon janë dashuri, fliste me aq dashamirësi e mirënjohje për mënyrën si e kemi rritur. Por dhimbjen e kam të hapur akoma.

Flas, thjeshtë nuk mund ta prek Xhinon, nuk i kam sytë përballë, por thellë thellë e ndjej afër, sikur është me mua, shpesh gjatë ditës qaj, por më duket sikur qaj për diçka të largët, e më duket sikur pasdite Xhino do vijë në shtëpi. Vazhdoj të jetoj ende me gënjeshtrën se do të kthehet, sepse kjo më bën të lumtur,” rrëfeu Lira.

Një prej gjërave që e kanë lënduar më së shumti pas humbjes së Xhinos, Lira thotë se janë diferencimet që bëhen në shoqëri në lidhje me të kaluarën e djemve.

“Ajo që më ka lënduar më shumë jo për Xhinon tim, por për nënë të tjera që nuk ka më shumë jeta e një djali 29 vjecar shembullor nga një 29 vjecar me probleme të ndryshme, qoftë narkoman. Ajo që më lëndon në shoqërinë tonë është se si bëhet diferencim i tillë. Pse duhet të bëhet diferencim në shtyp, kjo nuk e ul aspak ndjeshmërinë e dramës së një familje. Madje duhet të mbështetet më shumë. Në të gjithë këtë kazan të shtypit, kjo më ka lënduar më shumë”, tha Lira.

Top Channel