Aksident tragjik me dy të vdekur në Lushnjë/ Makina përplaset me motorrin

08/03/2021 15:58

Një aksident ka ndodhur rreth orës 15:10  në “Urën e Gradishtës” në Lushnjë ku për pasojë dy persona kanë ndërruar jetë.

Ngjarja ka ndodhur në aksin rrugor Lushnjë-Divjakë dhe në aksident janë përfshirë një mjet tip Benz ML dhe dy të rinj që udhëtonin me një motorçikletë tip “Lifan”.

Automjeti është përplasur kokë me kokë me dy të rinjtë, të cilët kanë gjetur vdekjen në vendin e ngjarjes.

Njëri nga viktimat është 22-vjeçari, Igli Çuni, nga fshati Korie i Divjakës ndërsa tjetri është identifikuar si Justin Baba, 22 vjeç. Dyshohet se aksidenti ka ndodhur pasi drejtuesi i motorçikletës ka tentuar të parakalojë automjetin, gjë që ka rezultuar fatale për të.

Policia ka mbërritur në vendngjarje dhe ka nisur hetimin për shkaqet e aksidentit.

Njoftimi i policisë:

Sot rreth orës 15:10, në aksin rrugor Lushnjë-Divjakë, në vendin e quajtur “Ura e Gradishtës”, shtetasi A. S., 51 vjeç, banues në Spolat, Lushnjë, duke drejtuar automjetin tip “Benz” është përplasur me motomjetin tip “Lifan”.

Si pasojë e përplasjes është dëmtuar drejtuesi i motomjetit dhe pasagjeri në motomjet,(ende të paidentifikuar) të cilët kanë ndërruar jetë.

Është shoqëruar drejtuesi i automjetit dhe po kryhen veprimet procedurale. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Top Channel