Veliaj në Rrogozhinë: “Grida “harron” disfatën në Tiranë dhe Durrës, tani kërkon prapë mandatin që braktisi”

07/03/2021 18:35

Nga Rrogozhina, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili është dhe drejtues politik i Partisë Socialiste për qarkun kryesor në vend, tha se fuqia e kësaj force politike qëndron në emrat me të cilët garon në zgjedhjet e 25 prillit, personazhe që nuk kanë të krahasuar me humbësit që propozon Partia Demokratike.

Për më tepër, Veliaj tha se socialistët e kanë të shenjtë detyrën dhe nuk e lënë në mes siç veproi opozita me mandatet në parlament, por dhe në Këshillat Bashkiakë.

“Listën tonë për qarkun e Tiranës do ta drejtojnë dy profesoresha. Një prej tyre është Luljeta Bozo, profesoresha e Inxhinierisë së Ndërtimit, që dhe në atë moshë është më e papërtuar se disa çupëlina që vijnë këtej vërdallë. Kur e dëgjova atë që kemi përballë që tha: “E sfidoj Erionin të kandidojë në Rrogozhinë e në Kavajë”, nuk e di pse harron që ne “e rrahëm” në Tiranë, ku ka pasur humbjen më të madhe te Njësia 1. Harron që ne “e rrahëm” edhe në Durrës me mbi 10 mijë vota diferencë. Harron që e la vetë mandatin dhe sot kërkon të kthehet në detyrë. Zysh Luljeta nuk e lë kurrë detyrën. Nuk e la kur ra tërmeti e jo më ta lërë siç bëri Grida me shokët e vet që për një kapriço thanë: “s’fituam ne, po ikim nga loja”. Kjo nuk është lojë për fëmijë, është përgjegjësi. Për çfarë janë këto sfida dhe pse i lini detyrat përgjysmë? Kjo është pyetja që duhet t’ju bëjmë atyre, sidomos një mësuese që nuk e lë kurrë orën e mësimit apo një doktoreshë që nuk e lë kurrë sallën e operacionit nuk duhet të mbështesin politikanë që lënë përgjysmë detyrat e tyre dhe atë që populli i kërkoi të çonin deri në fund,” tha ai.

Veliaj ka ironizuar edhe kreun e PD Lulzim Basha, kur tha se motoja e socialistëve nuk është gjumi, por puna, pasi vetëm duke punuar mund të ecim përpara.

“Motot i kemi të ndryshme. Luli e kishte moton: “Ta bëjmë ditën natë!” Sigurisht, kur e ke mendjen te gjumi do të bësh ditën natë. Motoja jonë është ta bëjmë natën ditë. Të mundohemi të punojmë deri vonë dhe të kemi sa më shumë rendiment me gjithë angazhimin dhe energjinë pozitive që kemi,” deklaroi Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA