Veliaj: Me Luljeten dhe Najadën kemi sjellë më të mirën, gratë dhe vajzat na mbështesin mbi 65%

07/03/2021 15:24

Lista e kandidatëve për deputetë në Partinë Socialiste do të fuqizojë akoma më tej gruan në historikun ngjitës të përfaqësimit në parlament arritur nga kjo forcë politike.

Nga Kavaja, ku zhvilloi një takim me Forumin e Gruas, Drejtuesi Politik për të gjithë Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, tha se lista me të cilën do të prezantohet Partia Socialiste në zgjedhjet e 25 Prillit vendos një standard të ri mbi detyrimin e përgjithshëm, 1 grua në 3 kandidatë burra.

“Ne do të kemi përfaqësinë më të madhe ndonjëherë të grave në grupin tonë parlamentar. Partia Socialiste e bëri ligj që 1/3-ta e kandidatëve të jenë gra, por në këtë listë do të ketë akoma më shumë se ky kriter,” u shpreh Veliaj, duke shtuar se po shkohet drejt një barazie të plotë edhe në parlament, siç është vendosur tashmë në këshillat bashkiak.
Gruaja e ka fituar vetë pushtetin tha Veliaj. “Në çdo sondazh gratë dhe vajzat na mbështesin mbi 65 përqind. Ato e mbajnë kokën para, bëjnë llogarinë e fëmijëve. Kjo është arsyeja pse gratë e vajzat kanë rritjen dhe potencialin më të madh në PS,” shpjegoi Veliaj.

Drejtuesi për Tiranën u shpreh mjaft krenar që në krye të listës ndodhen dy zonja të nderuara, të dyja në krye të sprovave më të vështira që sapo kaluam, tërmeti dhe pandemia.
“Nuk e fsheh dot kënaqësinë e jashtëzakonshme kur shoh që lista jonë e Qarkut të Tiranës do drejtohet nga dy kryezonja! Me Najadën dhe Luljetën ju garantoj që kemi sjellë më të mirën e atyre që u sprovuan ditën e fatkeqësisë,” tha Veliaj, duke mos kursyer zhgënjimin për sulmin ndaj tyre.

“Këta njerëz janë gati të mbrojnë doktorin që ka veshur më shumë gra me të zeza në këtë vend dhe i sulen një zonje e cila deri në shtator, kur do merret mandati, do vazhdojë të shërbejë në spital,” tha Veliaj, duke theksuar dhe faktin se sulmet më të mëdha vijnë pikërisht nga ata që të vetmin rekord në PD kanë përçarjen dhe eliminimin e grave me kontribute të spikatura, si Jozefina Topalli dhe Majlinda Bregu.

Veliaj gjithashtu tha se vendimmarrja e Partisë Socialiste ka prodhuar edhe një politikë të emancipuar sociale, që me pensionin social, ku mbi 90% e përfituesve janë gra, ashtu edhe me ndihmën ekonomike, ku për herë të parë u vendos gruaja personi të cilit do i dorëzohet pagesa në familje. “Të gjithë këto iniciativa kanë qenë për të fuqizuar rolin e gruas në shoqëri. Nëse do të kishte gjini, politika e Partisë Socialiste do të ishte grua,” e përfundoi fjalën e tij Erion Veliaj.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA