Nga Lezha, kryeministri Edi Rama u shfaq optimist per vaksinimin masiv të qytetarëve, në harkun kohor Mars-Qershor.
Megjithëse sa herë është pyetur për vaksinat ruse dhe kineze Edi Rama është shprehur hezitues, ai la një dritare hapur përballë vështirësive botërore në pasjen e dozave të Pfizer dhe AstraZeneca.
Rama: Deri dje kënga ime thoshte ‘Çdo gjë bën vaki jetojmë në Tironë’, tani duhet të them ‘Çdo gjë bën vaki jetojmë në Evropë’. Gjermania që është lokomotiva e Evropës, ka filluar të hapë dialogun me Kinën dhe Rusinë për vaksinat ruse dhe kineze. Duket e pabesueshme por është e vërtetë, duket që kontinenti më i fuqishëm i planetit gjendet në këtë situatë. Siç dukej kur momenti i pandemisë i kapi gafil të gjithë dhe i gjunjëzoi, pavarësisht sa të pasura janë.
Qeveria shqiptare me kompaninë amerikane Pfizer, ka nënshkruar një kontratë për blerjen e 500.000 vaksinave, por deri më tani kanë mbërritur 32.760 doza. Ndërsa pas disa ditësh do të mbërrijnë edhe 14 400 doza të vaksinës së oksfordit të cilat do të sillen nga aleanca Covax. Në total Shqipëria ka paguar 4 milionë dollarë për të blerë vaksina me të cilat do të imunizohet 20 % e popullsisë.
Top Channel