3.000 vaksina ruse Sputnik V kanë mbërritur në Maqedoninë e Veriut nga rreth 200.000 sa janë porositur nga Rusia për vaksinimin e popullatës për mbrojtje nga koronavirusi.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, i cili së bashku me ambasadorin rus Sergej Bazdnikin, dolën për të pritur vaksinat në Aeroportin Ndërkombëtar të Shkupit, tha se këto doza do të pwrdoren pwr personat e moshuar, të sëmurët kronikë dhe kategori tjera ndërsa theksoi se vaksina është e sigurt. Ai bëri të ditur se në ditët në vijim do të vazhdojnë bisedimet edhe për sigurimin e dozave tjera, me qëllim vazhdimin e imunizimit të popullatës, bazuar në planin nacional për imunizim.
“Vaksina është e sigurt dhe efikase. Jemi të gatshëm t’i ndihmojmë popullit maqedonas me të cilin ndajmë vlera të përbashkëta. Jemi të gatshëm që bashkëpunimin ta zgjerojmë edhe në sfera tjera”, ka deklaruar ambasadori i Rusisë në Shkup, Sergej Bazdnikin.
Në Maqedoninë e Veriut deri më tani kanë arritur vetëm 8.000 doza vaksinash të kompanisë amerikan Pfizer, edhe ato si donacion nga Serbia. Opozita e ka kritikuar qeverinë për dështim në sigurimin e vaksinave dhe përballjen me pandeminë, që sipas VMRO-DPMNE-së, dëshmohet me numrin e lartë të vdekjeve dhe rritjen e rasteve me këtë virus.
Top Channel