Moderatorja e njohur Fjoralba Ponari ka zbuluar se do të marrë drejtimin e “Portokalli” për këtë sezon të ri.
Këtë e tregoi gjatë intervistës në rubrikën “N’Trip” në emisionin “E diell”, ku u shpreh nuk e mendonte kurrë që ajo do të bëhej pjesë e “Portokallisë”, por bordi drejtues e ka bindur se mund t’ja dalë mbanë.
“Sapo më është besuar, e them me bindje, projekti më sfidues në televizionin e Top Channel. Bëhet fjalë për Portokallinë. Për hir të së vërtetës ka qenë një nga ato projekte që nuk e kam menduar veten kurrë që do të bëhesha pjesë e aq më tepër që do e moderoja. Për një arsye të thjeshtë, sepse kam menduar historikisht se aty do të ishte dikush që kishte një background që i përket aktrimit.
Megjithatë po të shihni historikun e moderatorëve, nuk kanë qenë aktore të gjitha apo aktorë të gjithë ata që e kanë moderuar. Por me aq sa më tha dhe bordi drejtues e rëndësishme është që të kesh të dhëna të mira dhe të jesh bashkëpunues dhe çdo gjë tjetër zgjidhet. A do të zgjidhet? Mbetet për t’u parë”, tha Ponari.
Sa i përket ish-moderatores së preferuar nga “Portokallia”, Fjoralba përmendi emrin e Xhemi Shehut për shkak të kimisë që kishte me Salsanon.
“Xhemi Shehu padiskutim, ka qenë një nga figurat jo vetëm e dashur dhe e zonja, por me një kimi të mrekullueshme me Salsanon, gjë që unë realisht e shikoj si shembull dhe do të doja të arrija në ato nivele bashkëpunimi”, tha Fjoralba.
Top Channel