Vullkani islandez në prag shpërthimi shkaktoi 17,000 tërmete në një javë (foto)

06/03/2021 18:17
Vullkani Bardarbunga ne juglindje te Islandes

Frikat po shtohen për një shpërthim madhor vulkanik në jugperëndim të Islandës, pas rritjes masive të aktivitetit sizmik.

Vetëm gjatë javës së kaluar gjeologët vendas kanë regjistruar 17,000 tërmete në gadishullin Reykjanes, ku gjendet sistemi vullkanik Krýsuvík. Tronditjet e shpeshta të tokës janë nga me të fundit e aktivitetit që ka nisur thuajse prej një viti, dhe normalisht janë shenjë e akumulimit të magmës në afërsi të sipërfaqes së tokës.

Me ngritjen e magmës, shtohen shanset e çarjes së sipërfaqes dhe erupsionit të vullkanit.

Autoritetet kanë nisur përditësimin e planeve të emergjencës, edhe pse shpërthimi i vullkanit nuk është diçka e sigurtë, pasi siç ka ndodhur në të kaluarën, magma ka avancuar lart drejt sipërfaqes dhe më pas është ndalur para shpërthimit.

Islanda nuk është ‘e huaj’ ndaj shpërthimeve spektakolare vullkanike.

Në 2010, shpërthimi i malit Eyjafjallajökull tërhoqi vëmendjen e gjithë botës kur tymi i tij solli ndalimin e fluturimeve në thuajse të gjithë Evropën veriore e perëndimore.

Ndërsa shpërthimet e mëparshme të malit Krýsuvík nuk kanë prodhuar sasi të mëdha hiri apo llave të shkrirë.

Dr Dave McGarvie, vulkanolog i Lancaster University, thotë: “Erupsionet në jugperëndim të Islandës janë të tipit të shkëmbit të lëngshëm të quajtur basalt. Kjo sjell rrjedhje të ngadaltë lave që ushqehet gradualisht nga malet dhe krateret. Në Islandë këto quhen ‘shpërthime turistike’ pasi janë relativisht të parrezikshme dhe të parashikueshme, si dhe ofrojnë për shumë njerëz mundësinë e dëshmisë së spektaklit natyror të krijimit të tokës së re”.

FOTO GALERI
1/5
Shperthimi vullkanik i Eyjafjallajokull ndricohet nga rufete

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA