Zarf anonim me dy plumba/ Mbërrin në zyrën e ish kryeministrit italian Matteo Renzi

05/03/2021 01:34

Ish kryeministri i Italisë, Matteo Renzi, ka marrë një zarf anonim me dy plumba brenda tij, thanë anëtarë të partisë së tij Italia Viva, në mediat sociale.

Lajmi është dënuar masivisht nga politikanët italianë, përfshirë Legën e Veriut dhe Lëvizjen Pesë Yjet, që kanë shprehur kundërshtinë e tyre ndaj kërcënimeve mbi politikanët.

“Është koha t’i themi mjaft kësaj politike dhune dhe urrejtjeje”, tha Teresa Bellanova, zëvendës ministre dhe anëtare e Italia Viva. Edhe presidentja e Dhomës së Deputetëve, Maria Elisabetta Casellati, po ashtu i telefonoi ish-kryeministrit për ti shprehur solidaritetin e saj.

“Pakënaqësia politike, edhe pse e ashpër, nuk mund dhe nuk duhet të degjenerojë në kërcënime dhe dhunë”, shtoi edhe ministrja Mara Carfagna. Vetë Renzi, në një postim në Facebook pas morisë së mbështetjes online, tha: Faleminderit të gjithëve. Le të ecim përpara të gjithë, me liri dhe kurajo”.

Renzi ka shërbyer si kryeministër i Italisë nga 2014 deri në 2016 dhe mbetet në Senat si lider i Italia Viva, një grup i vogël i shkëputur nga Partia Demokratike. Në janar, vendimi i partisë së tij për të dalë nga qeveria e koalicionit, çoi në dorëheqjen e Giuseppe Contes dhe e çoi Italinë në krizë politike.

Edhe politikanë të tjerë në Itali, përfshirë ish-kryeministrat Silvio Berluskoni dhe Mario Monti, kanë marrë më herët zarfe anonime me plumba.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA