Të paktën 14 njerëz janë vrarë kur një ortek goditi një minerë floriri në veri të Afganistanit, zonën e kontrolluar nga grupet Talibane, njoftuan zyrtarët vendas.
Farid Nekfar, kreu i emergjencave të provincës Badakhshan tha se vijojnë përpjekjet për rekuperimin e të paktën dy trupave, pas goditjes së ortekut vrasës pasditen e të enjtes.
“Jemi në kontakt me vendasit dhe grupet e emergjencës. Deri tani janë rekuperuar 12 trupa të viktimave nga poshtë masës së ortekut. Por për fat të keq zona është nën kontrollin e militantëve,” tha Nekfar për rrjetin AFP.
Nek Mohammad Nazari, zëdhënësi i guvernatorit të Badakhshan tha se numri i viktimave arrinte në 15.
Abdul Rahman, rezident nga një zonë fqinje, tha se dy anëtarë të familjes së tij që punonin në minierë ishin vrarë, ndërsa shtonte se numri i viktimave mund të jetë më i madh.
Katastrofa si ortekë dhe përmbytje kanë goditur disa herë zonat malore të Afganistan në periudhën e shkrirjes së dëborës, në pranverë e verë. Shpyllëzimi në rajon, e ka bërë atë më të ekspozuar ndaj katastrofave.
Më shumë se 50 përqind e territorit të Afganistan besohet se është nën kontroliln direkt ose në influencën e liderëve talibanë.
Top Channel