Lindjet në Shtetet e Bashkuara kanë qenë në rënie për gati një dekadë, por viti 2019 ka parë numrin më të vogël të foshnjave të lindura në 35 vjet, tregon një studim i Institutit Brookings, me seli në Uashington.
Sipas studimit, rreth 300,000 foshnje më pak priten në vitin 2021. Analiza vjen në kohën kur pandemia e koronavirusit ka trazuar tregun e punës, duke i dëmtuar në mënyrë disproporcionale gratë që punojnë. Sipas Qendrës Kombëtare të Ligjit për Gratë, vitin e kaluar, pjesëmarrja e grave në tregun e punës ka rënë për 57% – niveli më i ulët që nga viti 1988.
Për shkak të mbylljes së shkollave si pasojë e pandemisë, miliona gra janë detyruar të balancojnë mbikëqyrjen e fëmijëve me punën dhe përgjegjësitë e tjera.
“Kur tregu i punës është i dobët, niveli i përgjithshëm i lindjeve bie; kur tregu i punës përmirësohet, nivelet e lindjeve përmirësohen”, shkruajnë autorët e studimit të Institutit Brookings, Melissa Kearney dhe Philip Levine.
Numrat finalë për vitin 2020 nuk janë publikuar ende, por një përmbledhje e kanalit CBS News për 32 shtete amerikane tregon për 95,000 lindje më pak në vitin 2020, krahasuar me vitin paraprak.
Top Channel