“Më e keqja është…”/ Rama: Së shpejti hapet gara për ndërtimin e aeroportit të Sarandës

05/03/2021 13:00

Në një konferencë për shtyp ministrja e Energjitikës Belinda Balluku bëri me dije ditën e sotme kompaninë fituese për Aeroportin e Vlorës.

Ajo është një bashkim i kompanive të regjistruara në Zvicër, Mabco Construction (Mabetex Group) (50%); YDA – Group (48%); 2A Group SH.PK (2%), ku vlera e investimit është 103.966.030 Euro.

Kompanitë e lartë përmendura janë dy kosovare , ku Mabetex është në pronësi të biznesmenit dhe politikanit nga Kosova Behgjet Pacolli, ndërsa YDA është kompania që po ndërton spitalin e Fierit ndërsa, 2A group është një tjetër kompani nga Kosova.

Ndërkohë, Kryeministri Rama ka bërë të ditur se në javët në vijim ministrja Balluku do të publikojë garën për aeroportin e Sarandës, duke sjellë në vëmendje se aeroportet janë fabrika e zhvillimit të ekonomisë si dhe do të ketë mijëra mundësi për punësim. Sipas Ramës ambicia e qeverisë është ndërtimi i 4 aeroporteve në vend!

“Aeroportet janë fabrika zhvillimi të ekonomisë, sjellin jo vetëm punësim për ata të cilët punojnë në aeroporte por për të gjithë hapësirën ku aeroportet kanë ndikimin e tyre. Një aeroport sjell shumë shërbime të reja, duke rritur fluksin e njerëzve dhe nevojitet që sjellin këto flukse, aeroportet sjellin hotele, manifakturë, fabrika të reja, një zinxhirë gjërash dhe është e provuar se çfarë investon në një aeroport ka një shumëfishim eksponencial. Një euro e investuar në aeroport është minimumin 23 euro mbrapsh në ekonomi.

Mijëra mundësi për punësim dhe problemi që do të lindë do të jetë mungesa e krahut të punës në kushtet kur do të duhen shumë profile. Një aeroport kërkon një numër zanatesh dhe 4 aeroporte për Shqipërinë janë vendosja e Shqipërisë në një nivel tjetër në planin e të ardhmes dhe të realizimit të atij vizioni që ka qenë i rilindasve tanë dhe të gjithë atyre që janë marrë me punët e këtij vendi, duke futur në kllapa periudhën e diktaturës komuniste”, u shpreh Kryeministri.

Rama u shpreh se i mirëkupton vlonjatët, të cilët mezi presin fillimin e punimeve.

“Më e keqja është pas krahëve, më e mira është përpara. Sot është e premte të hënën vlonjatet do thonë pse nuk ka filluar ndërtimi, jam i qartë për këtë, por do ti përballoj. Por nuk ka më pengesa të paparashikuara nga cfarë ka në dorë njeriu”, u shpreh kryeministri.

Ministrja Belinda Balluku tha se për 30 ditë do të nënshkruhet kontrata me kompaninë fituese që do i hapë rrugë nisjes së punimeve.

Top Channel