Policia, këtë të premte i ka bërë thirrje mësuesve dhe grave, që në datat 7 dhe 8 mars, të menaxhojnë me kujdes festimet për shkak të pandemisë së Covid 19.
Drejtoria e përgjithshme e policisë u ka kërkuar të gjithë strukturave në vend që të organizojnë dhe të nxjerrin në terren grupe efektivësh për të mos lejuar organizimin e grumbullimeve në ambiente të hapura dhe të mbyllura, gjatë ditëve të festave.
Po ashtu, është kërkuar që të shtohet kontrollet, në lokale, bare dhe restorante, duke njoftuar pronarët për të mos lejuar grumbullimet.
Sipas këtij urdhri, policisë do t’i lindë e drejta për të ndërhyrë dhe për të ndaluar organizime të tilla gjatë këtyre dy ditëve, 7 dhe 8 mars. Kjo për shkak se më parë, këto festa kanë pasur grumbullime masive të mësuesve në festën e tyre, por edhe të grave dhe vajzave nëpër ambiente lokalesh.
Këtë vit, thirrja është që grumbullimet të mos jenë më shumë se 10 veta, qoftë në vende të mbyllura apo dhe të hapura. Gjithçka do të funksionojë në bazë të orës policore. Ndalohet çdo aktivitet pas orës 20 të mbrëmjes deri në 6 të mëngjesit. Policia gjithashtu shton se ndalohen, festimet, mbledhjet partiake, ceremonitë fetare, martesore, konferenca apo edhe tubime të ndryshme, kur numri kalon mbi 10 persona.
Top Channel