Australia i kërkon KE-së të rishikojë bllokadën e vaksinave nga Italia

05/03/2021 10:14

Australia kërkoi nga Komisioni Evropian që të rishikojë vendimin e Italisë për të bllokuar një dërgesë me vaksina AstraZeneca kundër koronavirusit.

Italia, e mbështetur nga Komisioni Evropian, e ndaloi eksportin e planifikuar të rreth 250,000 dozave të AstraZenecas, pasi prodhuesi i ilaçeve nuk arriti t’i përmbushë zotimet e tij ndaj kontratës me Bashkimin Evropian.

“Australia e ka ngritur çështjen me Komisionin Evropian përmes kanaleve të shumta”, tha ministri australian i Shëndetësisë, Greg Hunt, para gazetarëve në Melburn.

AstraZeneca kërkoi leje nga autoritetet italiane për të eksportuar 250,000 doza nga fabrika Anagni afër Romës, por Qeveria italiane refuzoi.

Hunt tha se Australia ka marrë tashmë 300,000 doza të vaksinës AstraZeneca, të cilat do të zgjasin derisa të rritet prodhimi vendas i vaksinës.

Australia nisi programin e imunizimit dy javë më parë, duke vaksinuar fillimisht stafin shëndetësor dhe qytetarët e moshuar me vaksinën Pfizer, edhe pse dozat e kësaj të fundit janë të kufizuara në të gjithë botën.

Vendimi i Italisë vjen vetëm disa ditë pasi kryeministri Mario Draghi, i cili e mori detyrën muajin e kaluar, u tha udhëheqësve të tjerë të BE-së se blloku duhet ta përshpejtojë vaksinimin dhe të marrë masa kundër kompanive farmaceutike, që nuk kanë arritur t’i sigurojnë furnizimet e premtuara.

Vendet e BE-së kanë nisur imunizimin në fund të dhjetorit, por po lëvizin me një ritëm më të ngadalshëm se shumë vende të tjera.

Zyrtarët i kanë fajësuar poblemet me furnizim nga prodhuesit kryesorë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA