AstraZeneca për mbi 65-vjeç/ Suedia e rekomandon vaksinën pasi studimet e reja tregojnë se mbron edhe këtë moshë

05/03/2021 02:26

Suedia është vendi më i fundit që rekomandon vaksinën e Astrazeneca-s dhe Oxfordit për të moshuarit mbi 65-vjeç. Bashkë me një numër vendesh të tjera evropiane, që tani po ndryshojnë politikat, Suedia më herët nuk e rekomandonte vaksinën për të moshuarit duke cituar mungesën e të dhënave nga testet klinike për këtë grupmoshë.

Tani zyrtarët suedezë thonë se nën dritën e studimeve të tjera nga Anglia dhe Skocia, vaksina e AstraZeneca-s duket se ofron mbrojtje shumë të mirë edhe për këtë grup. Suedia, që ka evituar vendosjen e izolimeve gjatë pandemisë, ka regjistruar 4838 raste të reja koronavirusi 24 orët e shkuara.

Vendi me 10 milionë banorë ka regjistruar po ashtu edhe 13 viktima të tjera, duke e cuar totalin në 12977. Shkalla e infektimit për frymë në Suedi është shumë më e lartë se ajo e fqinjëve të saj nordikë, por më e ulët sidoqoftë se në shumë vende të tjera evropiane që kanë zgjedhur izolime.
Vendimi i Suedisë për vaksinën e Astrazeneca-s dhe Oxfordit, për mbi 65-vjeçarët, vjen pas atij të Gjermanisë, ku komisioni për vaksinat rekomandon tani administrimin e saj edhe tek mbi 65 vjeçarët.

‘Komisioni i vaksinave tani rekomandon vaksinën e Astrazeneca-s edhe për personat mbi 65- vjeç. Ky është një lajm i mirë për të moshuarit që presin vaksinimin’- tha Spahn.

Gjermania më herët ka thënë se nuk dispononte të dhëna të mjaftueshme për të miratuar vaksinën për më të moshuarit, por edhe ajo, si vende të tjera, ka ndryshuar mendje pas studimeve më të fundit. Ministri i shëndetësisë, Jens Spahn, tha se të dhënat e studimeve të fundit tregojnë se vaksina është akoma më efikase kur doza e parë dhe e dytë administrohet në një distancë prej 12 javësh.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA