Pushteti qëndror dhe bashkitë e vendit kanë thelluar më tej borxhet.
Të dhënat e Ministrisë së Financave tregojnë se në fund të vitit 2020, detyrimet e prapambetura të administratës publike kanë arritur në rreth 23.8 miliardë lekë apo rreth 193 milionë euro.
Pjesën më të madhe të faturave të papaguara e zë TVSH-ja e parimbursuar për bizneset që arriti në fund të dhjetorit në rreth 9.8 miliardë lekë, një stok që sipas Ministrisë së Financave pritet të zerohet deri në qershor të këtij viti. Ministria e Financave dhe ajo e Infrastrukturës rezultojnë dy nga dikasteret me borxhet më të larta, përkatësisht me nga 2 miliardë lekë, ndjekur nga ministria e Mbrojtjes me 1.4 miliardë lekë detyrime, ku pjesa më e madhe e tyre janë për faturat e papaguara për vendimet gjyqësore, kryesisht për largimet e padrejta nga puna.
Edhe bashkitë kanë zgjeruar më tej borxhet vitin e kaluar, pasi sipas të dhënave stoku i detyrimeve arriti në 7 miliardë lekë, ekuivalente me rreth 56.7 milionë euro.
Niveli më i lartë i borxheve u shënua në Bashkinë e Tiranës me rreth 761 milionë lekë, ndjekur nga ajo e Kavajës dhe Vorës përkatësisht me 728 dhe 203 milionë lekë.
Mosshlyerja e borxheve nga një pjesë e bashkive ka arritur deri tek mospagesa e sigurimeve shoqërore për punonjësit e administratës.
Edhe pse kanë kërkuar mbështetjen e qeverisë, kjo e fundit ka urdhëruar shlyerjen e tyre nga vetë pushteti vendor, në të kundërt në krye të bashkive që janë më problematike do të vendoset një administrator nga Financat.
Zerimi i borxheve të bashkive duket thuajse i pamundur, veçanërisht nga bashkitë e vogla, kjo edhe për shkak të krizës që ka shkaktuar kriza e koronavirusit.
Top Channel