Një studim i ri thotë se dhjetra kafshë gjitare si kuajt, delfinët apo dhitë mund të infektohen me SARS-CoV-2, virusi që shkakton sëmundjen Covid-19.
Studiuesit kinezë kanë analizuar qelizat e kafshëve në laborator për të konfirmuar se cilat prej tyre kanë receptorët qelizorë të njohur si ACE2 të cilët ndihmojnë infektimin.
Receptorët ACE2 kanë një formë që i përshtatet asaj të jashtme të koronavirusit, duke i dhënë atyre mundësinë për të hyrë në qarkullimin e gjakut.
Grupi studioi 44 specie gjitarësh përveç njeriut, si kafshët shtëpiake, ato të blegtorisë dhe të tjera që mund të gjenden në kopshte zoologjike apo akuariume, që kishin receptorë të tipit ACE2.
Mes këtyre të fundit ishin gorillat, balenat e spermës, rinocerontët, kuajt, macet, dhitë, kaviet, arinjtë panda dhe leopardët, të cilat sipas tyre mund të infektohen me koronavirus.
“Ne zbuluam se SARS-CoV-2 ka potencial për të infektuar një rang të gjerë kafshësh gjitare, duke përfshirë ato shtëpiake, gjedhët dhe kafshë të mbajtura shpesh në kopshte zoologjike dhe akuariume. Këto specie rrezikohen nga mundësia e transmetimit njeri-kafshë ose kafshë-kafshë”, shkruanin studiuesit.
“Studimi ynë thekson rëndësinë e ndalimit të tregtisë ilegale të kafshëve apo konsumin e tyre, si dhe zbatimin mbikqyrjes së kafshëve që kanë kontakte me njeriun, që mund të funksionojnë si ‘rezervuar zoonotik’ i virusit”.
Studiuesit thanë se pesë specie gjitarësh dukej se nuk kishin receptorë ACE2– marmosetat, koalat, minjtë, majmunët ketër, dhe kapuçini leshtor, ky i fundit një lloj majmuni leshtor i murrmë nga Amerika e Jugut.
Studiuesit paralajmëruan se zbulimet e tyre erdhën nga kushte laboratorike dhe jo nga jeta reale.
Por zbulimet e tyre të publikuara në agjencinë PNAS, janë në të njëjtën linjë me studime të tjera mbi macet, qentë dhe majmunët, që janë të prekshëm nga virusi.
Një total prej 28 speciesh u identifikuan si të rrezikuar nga SARS-CoV-2, përfshi ketrat, lopa, delet, gomarët, ariu polar, panda.
Top Channel