Drejtuesja e iniciativës Guxo dhe kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje për presidente, Vjosa Osmani, ka reaguar përmes një shkrimi në Facebook, pasi që ajo ka dalë njeriu më i votuar në historinë e zgjedhjeve në Kosovë qëkur organizohen me lista të hapura.

Ajo ka thënë se kjo fitore historike më së shumti i takon qytetarëve të Kosovës dhe ka falënderuar të gjithë votuesit e listës, siç e quan ajo, të referendumit.

“Kur bashkojmë forcat për vendin tonë të dashur e nuk ndahemi nga e drejta, qytetarët e Kosovës gjithnjë e vulosin këtë me besim. Sado e vështirë e me pengesa që ishte kjo rrugë, ju kurrë nuk na latë vetëm. Ishit e mbeteni fuqia jonë më e madhe, ata që na dhatë vullnet në kohë jo të lehta, e entuziazëm e shtytje përpara në kohë të mira. Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë ndjenjën e thellë të mirënjohjes për besimin tuaj, prandaj FALEMINDERIT pafundësisht të gjithë 438 mijë e 334 votuesve të listës sonë të referendumit. Zëri juaj kumboi fuqishëm si kurrë më parë”, ka shkruar Osmani.

Ndryshe, Vjosa Osmani pas largimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ka krijuar listën e saj Guxo me të cilën ka garuar në zgjedhjet e 14 shkurtit si pjesë e listës së Vetëvendosjes. Ajo ka arritur që bashkë me kandidatët e saj për deputetë të fitojë shtatë ulëse në Kuvendin e Kosovës.

Osmani ka marrë 300 mijë e 788 vota, ndërsa në zgjedhjet e 2019 kishte marrë 176 mijë e 016 vota. Në zgjedhjet e 14 shkurtit LVV-ja ka dalë partia fituese me 49.95% të votave.

Postimi i plotë:

Kur bashkojmë forcat për vendin tonë të dashur e nuk ndahemi nga e drejta, qytetarët e Kosovës gjithnjë e vulosin këtë me besim. Sado e vështirë e me pengesa që ishte kjo rrugë, ju kurrë nuk na latë vetëm. Ishit e mbeteni fuqia jonë më e madhe, ata që na dhatë vullnet në kohë jo të lehta, e entuziazëm e shtytje përpara në kohë të mira. Nuk ka fjalë që mund ta përshkruajnë ndjenjën e thellë të mirënjohjes për besimin tuaj, prandaj FALEMINDERIT pafundësisht të gjithë 438 mijë e 334 votuesve të listës sonë të referendumit. Zëri juaj kumboi fuqishëm si kurrë më parë. Nuk ka asgjë më të shenjtë e asnjë përgjegjësi më të rëndësishme se sa ky besim i marrë nga secili prej jush, prandaj do të punojmë që ta kthejmë atë në interes e zhvillim të vendit duke i përfaqësuar të gjithë qytetarët tanë pa dallim. Besimi juaj do të jetë udhërrëfyesi ynë në këtë drejtim. Kjo fitore historike, prandaj, më së shumti e mbi të gjitha i takon qytetarëve të Republikës sonë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA