Lideri i opozitës ruse, Aleksei Navalny, dërgoi mesazhin e tij të parë nga burgu, pasi u transferua nga një qendër në Moskë në rajonin Vladimir, në mes të shkurtit. Në mesazhin e postuar në Instagram të mërkurën, Navalny tha se është në Qendrën e Paraburgimit Nr 3 në qytetin Kolçugino dhe se po kalon mirë me shokët e qelisë.
“Gjithçka është në rregull me mua”, tha Navalny, duke shtuar se ai dhe shokët e tij të qelisë duhet ta thajnë bukën, pasi nuk u lejohet të blejnë ushqim nga dyqani i qendrës së paraburgimit. Navalny është arrestuar në Moskë në janar, menjëherë pasi është kthyer nga Gjermania, ku është shëruar nga helmimi me agjent nervor.
Ai është helmuar në muajin gusht, në një fluturim drejt Siberisë, ndërsa laboratorët perëndimorë kanë treguar se agjenti i përdorur në sulm ka qenë Noviçok. Navalny ka fajësuar presidentin e Rusisë, Vladimir Putin, për urdhërimin e sulmit ndaj tij, por Kremlini e ka mohuar përfshirjen.
Në fillim të shkurtit, një gjykatë në Moskë ka konstatuar se Navlny, gjatë kohës sa ka qenë në Gjermani, ka shkelur dënimin me kusht, të shqiptuar më herët për një rast të përvetësimit të fondeve.
Gjykata ka urdhëruar Navalnyn që të shërbejë dy vjet e gjysmë në burg. Të martën, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë sanksionuar disa zyrtarë rusë për, siç është thënë, përfshirje në helmimin e Navalnyt. Duke reaguar pas sanksioneve, Moska e ka porositur Perëndimin që “të mos luajë me zjarr”.
Top Channel