Lajçak viziton Beogradin/ Vuçiç: Gati për dialog, por Kosovën nuk e njohim

04/03/2021 01:57

Serbia është e gatshme në çdo moment të vazhdojë dialogun me Kosovën, tha presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit në Beograd me të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Vuçiç tha se Serbia i mbështet aktivitetet, përpjekjet dhe synimet e Lajçakut që “me politikën e kompromisit, të vijmë deri te një zgjidhje, që do të nënkuptonte pakënaqësi ose kënaqësi të pjesshme për të dyja palët – pa ultimatume dhe zgjidhje të imponuara”.Ai shprehu dëshirën e tij që në dialog të tregohet mirëkuptim për “interesat shtetërore dhe kombëtare të Serbisë”.

“Konsiderojmë se një marrëveshje kompromisi do të thotë: askujt gjithçka, gjithkujt mjaftueshëm. Pavarësisht deklaratave që vijnë nga Prishtina, të cilat nuk janë inkurajuese, është detyrimi ynë që të jemi të përgjegjshëm dhe të përkushtuar”- tha Vuçiç.

I pyetur të komentojë deklaratat e zyrtarëve të Kosovës se ata presin që Serbia ta njohë Kosovën, Vuçiq tha:“Nëse dikush mendon se mund të thotë: ju tani duhet ta pranoni Kosovën e pavarur, kjo nuk do të ndodhë. Ata mendojnë se në këtë mënyrë mund të bëjnë presion mbi vendin tonë dhe se serbët do t’iu japin gjithçka që duan, sepse do të jenë nën presion. Kjo nuk do të ndodhë”.

Ndërsa Lajçak tha se dialogu është thelbësor për përparimin e mëtejshëm të të dyja vendeve drejt anëtarësimit në BE. “Status quo-ja nuk është e qëndrueshme për asnjërën palë. Shtetet anëtare të BE-së presin që dialogu midis Serbisë dhe Kosovës të vazhdojë në mënyrë konstruktive dhe me mirëbesim”, tha Lajçak, për të shtuar se dialogu “do të zhvillohet shpejt, aq sa palët janë të gatshme”.

Lajcak tha se vizita e tij në rajon zhvillohet në bashkëpunim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por për shkak të arsyeve teknike, nuk ka qenë e mundur që edhe i dërguari amerikan për Ballkanin, Matthew Palmer, të marrë pjesë në vizitë. Para Serbisë, Lajçak qëndroi në Kosovë ndërsa të enjten do të ndalet në Mal të Zi.

Top Channel