Siguria u rrit pranë Kongresit të Shteteve të Bashkuara, në përgjigje të “një komploti të mundshëm për dhunë” të enjten, tha policia e Kongresit.
Masa u nxit nga inteligjenca, pas kërcënimeve të bëra nga një grup milicësh, thuhet në deklaratë. Policia tha se është “e përgatitur për çdo kërcënim të mundshëm ndaj anëtarëve të Kongresit”.
Dhoma e Përfaqësuesve e anuloi seancën e së enjtes, pas zbulimit të kërcënimit. Megjithatë, Senati, i cili gjithashtu mblidhet në Kongres, planifikon të mbajë debatin në lidhje me një paketë të ndihmës, të propozuar nga presidenti Joe Biden për lehtësimin e pasojave të koronavirusit.
“Departamenti ynë po punon me partnerët tanë lokalë, shtetërorë dhe federalë, për të ndaluar çdo kërcënim ndaj Kongresit”, tha përmes një deklarate policia e këtij institucioni.
“Ne po e marrim seriozisht inteligjencën. Për shkak të natyrës së ndjeshme të këtij informacioni, nuk mund të japim detaje shtesë në këtë moment”, tha policia.
Kërcënimi vjen dy muaj pasi mbështetës të ish-presidentit amerikan, Donald Trump, sulmuan ndërtesën e Kongresit, derisa ligjvënësit ishin duke certifikuar fitoren e Joe Bidenit në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.
Trazirat lanë pesë persona të vrarë, përfshirë një oficer të policisë, ndërsa tronditën edhe bazat e demokracisë amerikane. Kreu i forcës policore të Kongresit dha dorëheqje më vonë.
Departamenti amerikan i Drejtësisë akuzoi mbi 300 njerëz për pjesëmarrje në dhunë.
Demokratët e cilësuan sulmin si kryengritje. Dhoma e Përfaqësuesve e fajësoi ish-presidentin republikan për nxitje të turmës, por Trump u shfajësua më vonë nga Senati.
Në fund të shkurtit, ushtruesja e detyrës së shefit të policisë së Kongresit, Yogananda Pittman, tha përpara një komitetit të Kongresit se mbështetësit e Trumpit, pas sulmit të 6 janarit, duan “të hedhin në erë” Kongresin dhe të vrasin ligjvënës./REL
Top Channel