Kryeministri Zoran Zaev në seancën e sotme të Kuvendit ka kërkuar votëbesimin e Qeverisë. Kjo sipas tij vjen pas pretendimeve të VMRO-DPMNE-së se posedon shumicë në Kuvend.

“Kërkoj nga ju deputetët në Kuvend, të votoni për mirëbesimin e Qeverisë. është radha që të ballafaqohemi dhe të pastrojmë , të shohim në vepër shumicën e paralajmëruar nga opozita”, tha mes tjerash Zaev.

Zaev për votëbesimin u thirr në nenin 93, paragrafi 1 nga Kushtetuta, si dhe në nenin 217, paragrafi 2 nga Rregullorja e Kuvendit.

“Lajmet e rreme dhe bllokadat krijojnë pasiguri politike. Unë nuk do ta lejoj këtë, andaj edhe kërkoj votëbesim për Qeverinë. Hidheni në rend të ditës dhe të shohim se ku jemi”, deklaroi Zaev në Kuvend.

Ai theksoi që përmes këtij votimi do të qartësohet se kush sa numra ka në Kuvend. Ndërkaq opozita, sipas Alsat, ka kritikuar Zaevin pasi ai thirret në nenin 217, ku nuk parashihet debat para votëbesimit.

“Nuk kishit fuqi dhe guxim të shkonit me nenin 214, paragrafi 3 dhe të lejonit tre ditë debat këtu që të themi këtu të gjitha anomalitë e kësaj Qeverie”, tha mes tjerash Nikolla Micevski, deputet i VMRO-DPMNE-së.

Më 30 gusht të vitit 2020, në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, në orët e mbrëmjes, me 62 vota “pro” dhe 53 “kundër” u votua Qeveria Zaev 2, pasi deputetët shqyrtuan propozimin për përbërjen e qeverisë së re në krye me mandatarin Zoran Zaev.

Top Channel