Largimi i Bamir Topit nga drejtimi i Frymës së re Demokratike ka prodhuar një seri dorëheqjesh në partinë e ish- Presidentit.
18 anëtarë të degës së FRD-së në Tiranë njoftuan dorëheqjen në grup nga funksionet politike dhe partiake pasi Bamir Topi hoqi dorë nga drejtimi i partisë.
Firma që Sali Shehu hodhi në marrëveshjen e bashkëpunimit zgjedhor me Partinë Demokratike solli largimin e Bamir Topit nga partia që themeloi pasi la postin e Presidentit ne 2012, por negociatat e udhëhequra nga numri dy partisë mesa duket nuk janë pritur mirë as nga kryesia e kryeqytetit, e cila vendosi të braktisë Sali Shehun ende pa nisur fushatën zyrtare me Partinë Demokratike.
Me marrëveshjen e arritur me demokratët Sali Shehu ka siguruar një vend të sigurtë në listat e Partisë Demokratike, ndërkohë në garën për deputet mesa duket nuk do ketë mbështetjen e partisë së tij, e cila nuk pajtohet me bashkimin me demokratët. Dorëheqja e Bamir Topit ligjërisht i jep të gjithë forcën juridike firmës që dha numri dy i FRD-së për koalicion zgjedhor me Partinë Demokratike, ndërkohë ne mungesës të mbledhjes së forumeve të partisë, partia do drejtohet nga sekretari i përgjithshëm Sali Shehu.
Top Channel