Kryeministri Edi Rama ka komentuar premtimin e Bashës për bizneset e vogla, për të vendosur një pullë te dera që ndalon futjen e tatimorëve apo çdo autoriteti tjetër. Rama thotë se përsërit premtimet e mëparshme dhe këtë e konsideron spektakël të gjumësisë.
Rama: Kjo pulla në dyqan që do ndalojë inspektorët që të hyjnë brenda më kujtohet që nga koha e fushatës për Bashkinë e Tiranës. Në atë kohë ishte që do vihej pulla tek dera dhe çmimin e bukës do e vendoste kryetari i bashkisë.
Realisht është fantastike të shohësh se premtohen ose gjërat që janë premtuar më parë njësoj vetëm se ndryshon kursi i këmbimit. Saliu e kishte me dollar, ky e ka me euro. Ose premtohen gjëra që janë bërë, premtohet taksë e sheshtë si përpara kur taksa është zero. Premtohet energji e rinovueshme kur energjia jonë është 100% e rinovueshme dhe përmendet hidro, nuk përmendet fare diellorja. Flitet për turizëm kur u rrit 20% në 2019. Kjo pulla tek dera që do ndalojë inspektorët është spektakël është i gjumësisë, jo i pagjumësisë.
Ne do heqim inspektorët fare se flasim për fiskalizim të të gjithë sistemit, flasim për tru elektronik të shërbimit të agjensive të të ardhurave, flasim për transaksione në kohë reale, ky flet për pullë tek dera. Por unë nuk i vë faj, sidomos me atë zinxhir që i kanë vënë në qafë dje, ia qaj hallin.
Sa i përket vaksinimit të politikanëve, përfshirë Kryemadhin, Bashën dhe Metën, kryeministri tha se do e konsiderojnë vetëm kur të dalë në vendet e tjera.
Rama: Unë jam vaksinuar sepse kam bërë të njëjtën gjë që kanë bërë të gjithë kolegët e mi dhe nuk është për të siguruar veten por për të promovuar vaksinimin kur në vende të tjera të dalë ndonjë skemë për vaksinimin e politikanëve do ta konsiderojmë. Unë mendoj që vaksinimi i politikanëve në Shqipëri duhet të vijë në fund fare.
Top Channel