Skema e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, COVAX, përmes së cilës pritet të shpërndahen vaksinat për koronavirus në vendet e varfra, ka bërë të ditur se Kosova mund të furnizohet me këtë vaksinë deri në muajin maj.

Sipas Faik Hotit, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë, në përditësimin e fundit të kësaj skeme, për raundin e parë të ndarjes së vaksinave, periudha kohore e shpërndarjes së vaksinave në Kosovë është nga shkurti deri në maj të këtij viti. Në dërgesën e parë përmes COVAX-it, Kosova do të përfitojë 100,800 doza të vaksinës së prodhuar nga kompania AstraZeneca.

Kryeministri në detyrë, Avdullah Hoti dhe ministri në detyrë i Shëndetësisë, Armend Zemaj kanë thënë në vazhdimësi se në muajin shkurt do të arrijë vaksina në Kosovë, por kjo gjë ende nuk ka ndodhur. Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, në fillim të muajit janar, pati njoftuar se ka marrë konfirmim nga kompania amerikane, Pfizer, për sigurimin e 535,000 vaksinave kundër koronavirusit.

Mirëpo zyrtarë të kësaj kompanie kanë thënë se ende janë në diskutime me Qeverinë në detyrë të Kosovës për furnizim me vaksina. Aktualisht vaksinimin përmes COVAX-it e kanë nisur vendet afrikane.

Top Channel