Kryeministri Edi Rama ka folur në lidhje me shërbimet digjitale të ofruara për të gjithë qytetarët shqiptarë për t’i dhënë fund radhëve të gjata për të marrë një dokument të caktuar.
Në konferencën për mediat, Rama ka bërë një pasqyrim të shifrave, ku tha se nëpërmjet shërbimeve online shqiptarët kanë kursyer 4 mln euro dhe 472 vjet pritje në radhë ndërsa kanë zgjidhur një tmerr të madh shumëvjeçar në psikologjinë e qytetarëve shqiptarë që lidhet me administratën.
Rama: Nuk do kishim përballuar nëse nuk do ishim në fazën e këtij revolucioni, përfytyroni vetëm për një çast se çfarë do mund të bënim nëse në momentin kur duhet të garantonim mbylljen e përgjithshme të një viti më parë, nuk do kishim mundësi t’u shërbenim qytetarëve në nevojë për të dalë nga shtëpia. Përfytyroni nëse sikur kjo ngjarje shumë e rëndë, do të na kishte gjetur në kohën kur, ky shtet kishte vetëm 1% të shërbimeve online, dhe vetëm 50 mijë përdorues të këtyre shërbimeve.
Ndërkohë që sot, nga 14 shërbime që ishin kur ne e nisëm këtë revolucion kemi 1207 shërbime dhe nga 50 mijë përdorues kemi 1.87 mln përdorues. Nga 51 mijë aplikime, për shërbimin online për 2013 sot në 2021 kemi 7.7 mln. Sot 95% e shërbimeve janë online.
Ju e dini shumë mirë që beteja për kuponin ka qenë një betejë jashtëzakonisht e pamundur për 1001 arsye, ndërkohë që kalimi në këtë sistem do ta lehtësojë maksimalisht dhe absolutisht dokumentimin e të gjithë transaksioneve në të gjithë zinxhirin tregtar.
Shëndetësia sot vazhdon të transformohet në këtë aspekt pasi janë një sërë procesesh që deri dje bëheshin me radha të gjata, ndërkohë që sot bëhen të gjitha online që nga regjistrimi pranë mjekut të familjes tek rekomandimi për konsultë, takimet, recetat që ofrohen në mënyrë elektronike ashtu si për shtresat në nevojë nga aplikimi për banesa sociale janë të gjitha online.
Ju e mbani mend besoj tmerrin e certifikatave të gjendjes civile. Sot kemi certifikatën në çdo moment që e duam me vulë elektronike në kohë reale nga kompjuteri, nuk ka nevojë të shkojmë në radhë për të marrë certifikatë. Sot dëftesat e nxënësve do të ofrohen online me vulë elektronike, sot edhe pse ka shumë akoma për të bërë, shërbimet shtetërore për ata që janë jashtë mundësojnë që 38 shërbime për të cilat deri dje kërkohej prania fizike në një konsullatë duke imponuar humbje kohe, harxhime, stres janë online. Sot shtetasit e huaj që duan të vizitojnë Shqipërinë kanë vizë online.
Pa folur për shumë e shumë procese të tjera. Kemi zgjidhur një tmerr të madh shumëvjeçar në psikologjinë e qytetarëve shqiptarë që lidhet me administratën.
Top Channel